Të dënuarit në Vaqar kërkojnë kushte më të mira
Të burgosurit në Burgun e Vaqarit në Tiranë kërkojnë nga administrata e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kushte më të mira. Protesta ka filluar disa ditë më parë, teksa të dënuarit refuzojnë edhe ushqimet e burgut. Ata kërkojnë të hapen dyert e dhomave për arsye ajrimi nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 15:00 të pasdites. Gjithashtu, kërkojnë që t‘u shtohet me një orë ajrosja pasdite. Kërkesa tjetër e tyre është që të njësohen çmimet e dyqanit të burgut me ato të tregut. Sipas tyre, çmimet e ushqimeve në dyqanin e burgut janë dyfish më të larta se çmimet në tregun e lirë. "Kërkojmë që të zbatohet rregullorja për lejet e të dënuarve. Administrata e këtij burgu nuk zbaton këtë rregullore", deklarojnë të burgosurit, të cilët në fund kërkojnë edhe të krijohet një ambient sportiv i mbyllur.