E Diel, 1 Nëntor 2026

"Remzi Hoxha", familjarët protestë para gjykatës

Familjarët e të ndjerit Remzi Hoxha, i zhdukur në mënyrë misterioze 14 vjet më parë, do të protestojnë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda për ndëshkimin e autorëve, që gjykohen në liri. "Të nderuar miq, ftoheni të merrni pjesë në protestën paqësore të familjes së Remzi Hoxhës, në të cilën do të shprehen zhgënjimet dhe revolta e moszbardhjes së rastit për 14 vjet. Protesta do të mbahet me rastin e përvjetorit të katërmbëdhjetë të zhdukjes së Remzi Hoxhës, më 20 tetor 2009, para Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, duke filluar në orën 08:30", deklarojnë familjarët e Remzi Hoxhës. Sipas tyre, një gjë e tillë realizohet për të nxitur autoritetet që të ndërmarrin hapa më energjikë në zbulimin e të vërtetës.

Familjarët e Remziut bëjnë edhe një kronologji për rastin në fjalë. Sipas tyre, më 21 tetor 1995 në qendër të Tiranës, nga pjesëtarë të SHIK-ut është marrë Remzi Hoxha, i cili deri më tani nuk është gjetur kurrë dhe nuk dihen hollësi të tjera për fatin e tij. "Ky rast ka përmasa ndërkombëtare duke qenë se Remzi Hoxha është shqiptar i lindur në Shkup të Maqedonisë, ka jetuar dhe vepruar në Kosovë dhe është zhdukur në Shqipëri. Deri në vitin 2002 të gjitha strukturat shtetërore të Shqipërisë e mohuan përfshirjen e pjesëtarëve të SHIK-ut në këtë rast. Me insistimin e Avokatit të Popullit të Shqipërisë, pasi u zbuluan provat mbi përkatësinë e veturës (targa e veturës që është parë duke e marrë Remzi Hoxhën) është hapur procedurë penale kundër tre pjesëtarëve të SHIK-ut, të cilët në vitin 2003 me urdhër të prokurorisë u paraburgosën. Pas qëndrimit në paraburgim, prej 8 deri 9 muajsh, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Theodhori Sollaku, në kundërshtim me ligjin, urdhëroi lirimin e tyre duke u arsyetuar në ligjin mbi amnistinë për ngjarjet e vitit 1997, të cilat Shqipërisë i sollën gjakderdhje të mëdha", deklarojnë familjarët e Remziut. Sipas tyre, prokurori publik hoqi dorë nga ndjekja penale dhe për të mbuluar këtë skandal juridik prokurori Sollaku lëndën e dërgoi në polici për hetime të mëtejshme. Ata deklarojnë se familja Hoxha është mbajtur në lajthitje për 10 vite me radhë me premtimin se e vërteta do të zbulohet sado e dhimbshme që është. "Sot janë duke u gjykuar katër nga nëntë personat që e kishin zhdukur Remziun, nga të cilët Ilir Kumbaro pritet të ekstradohet nga Anglia në Shqipëri, ku qëndronte i fshehur për një kohë të gjatë me identitet të rrejshëm. Qeveria e sotshme shqiptare, e cila ishte në pushtet edhe në kohën e zhdukjes së Remzi Hoxhës tani mundohet ta pengojë procesin gjyqësor në mënyra prej më të ndryshmeve", shtojnë ata. S.Ç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›