E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi hetimor dërgon për ndjekje penale autorët e plagosjeve

Sherret e momentit në kryeqytet kanë sjellë plagosjen e pesë personave, ndërkohë që policia ka identifikuar autorët dhe i ka dërguar për ndjekje penale. Një prej tyre është plagosur me thikë dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa katër të tjerët janë plagosur nga mjete të ndryshme. Sipas të dhënave policore, në lidhje me rastin e parë, mësohet se nga seksioni kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Ylvi H., 16 vjeç, banues në Tiranë. Ai u dërgua për ndjekje penale, pasi dyshohet se në orën 20:00, në rrugën "Kongresi i Manastirit", gjatë një sherri të momentit në një lokal, ka plagosur lehtë me thikë Franko T., 14 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, policia shtoi se filloi procedimi penal dhe punohet për kapjen e Anduel Dedës, 20 vjeç, banues në Tiranë. Policia tha se ai u shpall në kërkim, sepse në orën 20:30, në rrugën "Besa", gjatë një sherri të momentit për motive të dobëta, në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë goditur me sende të forta Edvin Renxhën, 19 vjeç, Armand Zefin, 22 vjeç dhe Ermir Shehun, 23 vjeç. Policia tha se tre të dëmtuarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e bashkautorëve. Ngjarja është regjistruar nga Komisariati nr. 4, që po punon në bashkëpunim edhe me prokurorinë për dokumentimin e plotë të ngjarjes kriminale. Policia e kryeqytetit ka dërguar për ndjekje penale edhe Suat Kivën, 31 vjeç, banues në Tiranë, sepse disa ditë më parë, rreth orës 16.30, në Rrugën e Barrikadave, për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta Luan Dallxhiun, 59 vjeç. Dosjet në ngarkim të këtyre personave iu referuan prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›