Shpenzimet qeveritare, 150 milionë USD në 6 muaj për zyra dhe makina
Ervin Koçi
Megjithse është shteti me qytetarët më të varfër por dhe më të taksuar në bazë të të ardhurave për frymë në të gjithë Europën, Shqipëria ka shpenzimet më luksoze qeveritare. Aq të larta janë ato sa po ti llogaritësh me punën e bërë nga qeveria, duket se kjo e fundit nocionin “shtriji këmbët sa ke jorganin”, as që e njeh fare. Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë kapur vërtetë kulmin duke shkuar në një vlerë prej 10,4 miliardë lekësh ose rreth 150 milionë dollarësh. Ky zë i shpenzimeve është shumë i diskutuar për faktin se ka të bëjë me shpenzime, në të cilat përfshihen mobilimi i zyrave, pagimi i telefonave, dietave, makinave, karburantit për zyrtarët e lartë dhe ka qenë në këto gjashtë muaj më i larti i arritur ndonjëherë në historinë qeveritare të vendit. Vitin e kaluar këto shpenzime për gjashtë muajt e parë ishin 9,7 miliardë lekë ose rreth 120 milionë dollarë. Në vitin 2006 këto shpenzimeve ishin dukshëm më të ulëta, pasi kanë qenë vetëm 8,6 miliardë lekë, e cila, e konvertuar në kursin e asaj kohe, ishte rreth 90 milionë dollarë. Në vitin 2005 shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes ishin 11 miliardë lekë, ndërsa në dollarë ato ishin rreth 112 milionë USD-ë. Gjatë vitit 2005 ishtë edhe niveli më i lartë i shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes së qeverisë së asaj kohe.
“Qeveria në dietë”
Shpenzimet e larta të ish-mazhorancës socialiste në qeveri ishin kritikuar ashpër nga opozita e djathtë e Berishës, duke e mërtuar si “qeveria e qejfeve dhe çarterave”. Në vitin 2006 shumica e re (e djathtë) që mori pushtetin pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, me ardhjen në pushtet i uli këto shpenzime nga 112 milionë dollarë në gjashtë muajt e parë të vitit 2005, në 90 milionë dollarë në vitin 2006. Kjo qeveri e nisi punën me slloganin “një qeveri në djetë”, por vetëm se “djeta” zgjati vetëm pak kohë. Mbajtja e shpenzimeve të ulëta zgjati vetëm atë vit, pasi në vitet më pas niveli i shpenzimeve të shumicës së vjetër u tejkalua nga qeveria e sotme dhe aktualisht kemi për gjashtë muaj 150 milionë dollarë shpenzime operative dhe të mirëmbajtjes. Në vitet para 2005 shpenzimet operative ishin respektivisht në vitin 2000 për gjashtë muajt e parë 70 milionë dollarë, në vitin pasardhës (2001-2002) 65 milionë dollarë në 6-mujorin e parë dhe vazhdonin me 80 milionë dollarë (2002-2003), 100 milionë dollarë (2003-2004) dhe deri në 112 milionë dollarë në vitin 2005. Ky ka qenë niveli i shpenzimeve qeveritare sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, e cila ka të dokumentuar ecurinë e shpenzimeve operative që prej vitit 2000.
Llojet e shpenzimeve
Shpenzimet qeveritare zënë një gamë të madhe shërbimesh që kryhen nëpëmjet fondeve të posaçme të akorduara nga Buxheti i Shtetit (paratë e taksapaguesve shqiptarë). Këto shpenzime kanë të bëjnë kryesisht me dietat, telefonat, rregullimin e zyrave, blerjen e makinave, karburantin, kancelaritë, restaurimin apo shtesat e ministrive dhe institucioneve të tjera në vartësi të tyre, udhëtimet, delegacionet, pritjet dhe përcielljet e personaliteve etj. Këto shpenzime janë rritur që prej vitit 2005 me rreth 48 për qind, me gjithë se pati një ulje të qartë në vitin 2006. Një gjë e rëndësishme që vihet re në shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes, është fakti që ato realizohen thuajse plotësisht, ndërkohë që shpenzimet për investime në asnjë vit nuk janë realizuar plotësisht (100%). Edhe këtë vit shpenzimet për investime për gjashtë muajt e parë nuk e kaluan 80 përqindëshin e planifikimit për këto gjashtë muaj, çka detyroi Ministrinë e Financave që të rialokojë një pjesë të mirë të fondeve të ministrive për të mos u djegur.
Ministria e Financave fsheh shpenzimet reale qeveritare
Sipas një deklarate zyrtare të Ministrisë së Financave bërë pak ditë më parë, “qeveria ka kufizuar ndjeshëm, në raport me PBB-në shpenzimet për funksionimin e administratës qëndrore”. Në deklaratë thuhej se: “Zëri i shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes në raport me PBB-në, nga 3.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto që ishte në vitin 2004, në vitin 2008 është 2.6 për qind e PBB-së”. Shpenzimet për administratën qëndrore telefonat, udhëtimet, dietat, pritjet, përcjelljet etj., kanë pësuar ulje të ndjeshme gjatë vitit të fundit sipas Ministrisë së Financave. “Nga 1.45 për qind që ishtë niveli i këtyre shpenzimeve në raport me PBB-në në vitin 2004, niveli i tyre arriti në 1 për qind në vitin 2008”, -thuhet në të dhënat zyrtare të financave publike. Ndërkohë investimet me financim të brendshëm gjatë periudhës janar-qershor 2008, janë realizuar vetëm në masën 92.7 për qind. Por shifrat e paraqitura nga Ministria e Financave, jepen vetëm në përqindje dhe jo në shifra të plota në lekë, ose të detajuara sipas zërave dhe shpenzimeve përkatëse.
1. Zëri i shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes
2004 - 3.2% e PBB-së
2005 - 3% e PBB-së
2006 - 2.6% e PBB-së
2007 - 2.6% e PBB-së
2008 - 2.6% e PBB -së
2. Shpenzimet për administratën qëndrore (telefoni, udhëtime, dieta)
2004 - 1.45% e PBB-së
2005 - 1.39% e PBB-së
2006 - 1.1% e PBB-së
2007 - 1.1% e PBB-së
2008 - 1% e PBB -së
26 Korrik 2008