Raporti, shqiptarët probleme serioze me vizat për në BE
Ambasadat e vendeve të BE-së po penalizojnë shqiptarët duke i refuzuar dhënien e vizave Shengen. Kjo konstatohet në raportin e nxjerrë nga Lëvizja Evropiane në Shqipëri pas përfundimit të fazës së parë të projektit të monitorimit të vizave. Lëvizja Evropiane në Shqipëri priti dhe iu përgjigj mbi 100 telefonatave, saktësisht 104 thirrjeve, çka do të thotë rreth 15 telefonata në ditë. Njerëzit telefononin për t’u ankuar pikërisht për kohën tepër të vonët të lënies së takimit në konsullatë, kohë e cila shpesh qëllonte të ishte edhe mbas vizitës së parashikuar në vendin tjetër. Por, raporti thekson se konsullatat mbrojnë punën e tyre me faktin se numri i madh i aplikimeve që procedohet është pothuajse i papërballueshëm për to. Ky numër arrin mbi 100 në ditë te konsullatat greke apo italiane. “Djali im është artist dhe humbi koncertin në Greqi, pasi data më e parë e mundshme e lirë për intervistë ishte vetëm një ditë para koncertit. Djali e mori vizën, vetëm se ajo nuk i hynte më në punë”, zbuloi një prind mbi aplikimin për vizë të djalit të tij. Kategoritë më problematike janë njerëzit që udhëtojnë për qëllime turistike dhe ata që vizitojnë të afërmit e tyre, fëmijët, kushërinjtë etj. Duket sikur janë pikërisht këto kategori më të paragjykuarat nga konsullatat e ndryshme. Një çift pensionistësh me moshë 79 dhe 76 vjeç, me viza të mëparshme italiane të respektuara rigorozisht nga ana e tyre, nuk arritën të marrin vizë këtë vit, ndërkohë që duhet të ishte edhe më e lehtë për ta marrja e vizës me Marrëveshjen e Lehtësimit në fuqi. Fëmijët e tyre jetojnë në Itali, por ky çift nuk mori as arsyet e refuzimit të vizës. Sipas raportit, “akademikut të njohur, profesor Ylli Popa, personeli shqiptar i konsullatës italiane në Tiranë i drejtohet me: ‘Poshtë urës do flini në Itali?’ – kur ai po dorëzonte dokumentacionin e aplikimit për vizë”. Ndërsa ish-futbollisti i Tiranës dhe Kombëtares, Indrit Fortuzi, nuk mori dot vizë gjermane Shengen këtë vit. Megjithëse futbollisti i njohur paraqiti të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga konsullata së bashku me ftesën origjinale, dhe gjithë kjo pasi ka një tufë me viza të mëparshme afatgjata Shengen dhe leje qëndrimi të përkohshme për arsye pune në një sërë vendesh të hapësirës Shengen në Pasaportën e Shërbimit që zotëron. “Unë nuk kam pasur probleme të tilla as në periudhën kur pajisja me një vizë Shengen ka qenë vërtet një mision i vështirë. Sportistët duhet ta kenë marrjen e vizës më të lehtë, dhe jo më të vështirë, sidomos kur kjo parashikohet nga Marrëveshja e Lehtësimit, nëse shprehem saktë”, sqaron Fortuzi në e-mailin e dërguar. Për të lënë një takim në konsullatën greke apo italiane në Tiranë nevojiten më tepër se 2-3 muaj, pasi ato janë marrë në telefon.
26 Korrik 2008