Shpenzohet koti për gjithçka, s’ka para për ethet hemorragjike

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani ka kërkuar 300 mijë euro mjete shtesë për parandalimin e etheve hemorragjike në Kosovë. Ai nëpërmjet një e-maili ia ka konfirmuar KTV-së se këtë kërkesë e kishte bërë në kuadër të rishikimit të buxhetit të vitit 2013, duke kërkuar alokimin e këtyre mjeteve shtesë për ballafaqim me këtë sëmundje.
Por, Ministria e Shëndetësisë do të mund ta ketë në dispozicion vetëm një pjesë të kësaj shume. Zyrtarët e Ministrisë së Financave thonë se për shkak të mundësive të limituara buxhetore, MSH-së do të mund t’i jepen vetëm 156 mijë euro. Megjithatë, kjo ministri thotë se është në gjendje gatishmërie për të ofruar ndihmë shtesë.
Agani ka iniciuar edhe themelimin e Këshillit ndërministror për ballafaqim me sëmundjen në periudhën e ardhshme kohore, ku tashmë ai u ka bërë kërkesë 7 ministrive dhe dy subjekteve të tjera. Mjetet e kërkuara, sipas Aganit, do të përdoren për aktivitetet në vitin 2013 dhe për përgatitjen e aktiviteteve në vitin 2014, në bazë të Planit strategjik për parandalimin dhe luftimin e EHCC-së në Kosovë në periudhën 2013-2016./Indeksonline/