E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblehet projekti i BKUK-së

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës është përfituese e një projekti të financuar nga Komisioni Evropian në kuadër të programit TEMPUS IV. Si institucioni më i lartë bibliotekar në vend, BKUK bën përpjekje të vazhdueshme për bashkëpunim të gjerë ndërkombëtar me institucione bibliotekare të niveleve të ndryshme, por edhe me agjenci e organizata të ndryshme financiare.

Në këtë kontekst, BKUK iu bashkua një nisme prej trembëdhjetë partnerësh të udhëhequr nga Instituti për Teknologji të qytetit Limerick të Irlandës për të aplikuar në programin ambicioz dhe konkurrues të TEMPUS-it me projektin “Zhvillimi i një programi arsimor të informacionit për mësim gjatë gjithë jetës dhe ekonomi të dijes në vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Ky projekt u cilësua i kompletuar, përmbajtjesor dhe i qëndrueshëm nga Komisioni Evropian dhe si i tillë u shpërblye me një financim prej afro një milion e dyqind mijë eurosh, të cilat ndahen proporcionalisht mes partnerëve të projektit.

Projekti përfshinë trembëdhjetë partnerë nga tetë vende evropiane, duke përfshirë Irlandën, Rumaninë, Greqinë, Shqipërinë, Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Britaninë e Madhe.

Projekti është i ndarë në pesë pako të ashtuquajtura pakoja e menaxhimit, e zhvillimit, e cilësisë, e përhapjes dhe e eksploatimit. Për realizimin e këtyre pakove janë krijuar pesë grupe të veçanta nga secili përfitues partnerë, të cilat kujdesen për realizimin e aspekteve të veçanta të projektit brenda secilës pako.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›