E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërblimet për buxhetorët dhe pensionistët

Edhe për këtë vit, qeveria nuk ndryshon strategji në dhënien e shpërblimeve për pensionistët dhe buxhetorët. Ashtu si një vit më parë, qeveria vendosi t‘u "dhurojë" buxhetorëve dhe pensionistëve për festat e fundvitit një "kartolinë". Për festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, ku zakonisht çmimet e tregut pësojnë rritjen më të madhe gjatë një viti, qeveria do të japë vetëm 5 mijë lekë për pensionistët dhe 10 mijë lekë për buxhetorët, ku përfshihen mjekë, arsimtarë, dhe punonjës në institucionet shtetërore. Nga ky vendim i Kryeministrit pritet të përfitojnë rreth 600 mijë shqiptarë. Kështu me afrimin e festave të fundvitit duket se qeveria është treguar dorëlëshuar dhe ka vendosur t‘u bëjë dhuratë këtyre shtresave. Ndonëse çmimet në diferencë nga një vit më parë janë më të shtrenjta, qeveria lë të njëjtën vlerë shpërblimi për pensionistët dhe buxhetorët. 5 mijë lekë të reja është caktuar të jetë shpërblimi për pensionistët e qytetit dhe të fshatit, ndërsa 10 mijë lekë do të jetë shuma që do të përfitojnë nga festat e fundvitit buxhetorët.

Bode kundër shpërblimit

Kundërshtinë për dhënien e shpërblimit të fundvitit, ministri Bode e ka shfaqur hapur në mbledhjen e grupit të PD-së, ku Kryeministri Berisha ka dhënë lajmin se qeveria ka një fond për t‘u dhënë mundësi buxhetorëve dhe pensionistëve për të festuar festat e fundvitit me më shumë të ardhura. Numri një i Ministrisë së Financave, Ridvan Bode, ka ngritur duart dje në mbledhjen e grupit për të treguar se ministria që ai drejton nuk ka të ardhura për të dhënë këtë masë shpërblimi gjatë fundvitit. Kryeministri Berisha duke dhënë lajmin e mirë për 600 mijë shqiptarë që do të përfitojnë nga 5-10 mijë lekë me rastin e festave është shprehur se "kjo është një lloj kartoline që ministri i Financave, Ridvan Bode, me ekipin e tij u dërgon në emër të qeverisë, të gjithë pensionistëve shqiptarë dhe punonjësve të administratës". Në formë replike dhe për të treguar se nuk ka fonde për këtë vendim, Bode ka ngritur duart dhe është shprehur se "kartolina është e jotja, unë nuk kam lekë". Kryeministri ka preferuar ta kalojë me nota humori përgjigjen e anëtarit të kabinetit të tij, i cili kujdeset për financat, duke u shprehur se "kartolinën e ke bërë ti dhe e kam firmosur unë".

Vendimi i Kryeministrit për shpërblimin e rreth 600 mijë pensionistëve dhe buxhetorëve nuk është specifikuar për kohën se kur do të shpërndahet te pensionistët dhe buxhetorët. Burime nga Kryeministria pohojnë se shpërndarja e shpërblimit duhet të bëhet brenda 31 dhjetorit, pra para festave të fundvitit, kur dihet që edhe shpenzimet janë më të mëdha.

Fondi

Kryeministri Berisha bëri të ditur dje se qeveria do të vendosë dhënien e shpërblimeve për buxhetorët dhe pensionistët, kostoja e përgjithshme e së cilës i shkakton qeverisë rreth 25 milionë dollarë. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri tha se vendimi për këtë dhuratë do të merret në një nga mbledhjet e ardhshme të qeverisë. Kryeministri theksoi se në total kjo shifër shkon mbi 25 milionë dollarë.

"Qeveria do ta bëjë këtë dhuratë në traditën e krijuar tashmë, për t‘i dhënë mundësi kësaj kategorie të shoqërisë të festojë e qetë Vitin e Ri", u shpreh Berisha para deputetëve të tij. Realisht, shpërblimi do të jepet si një bonos vetëm për pensionistët, pasi punonjësit buxhetorë kanë të përcaktuar në fondin e pagave, si shpërblim për Vitin e Ri, një shumë prej 10 mijë lekësh.

2007

Qeveria rrit rrogat për administratën

Këshilli i Ministrave gjatë këtij viti ka përcaktuar rritjen e pagave në sektorë të ndryshëm të administratës. Rritja më e ndjeshme është bërë në departamentin antikorrupsion. Nisma e qeverisë kundër korrupsionit ka detyruar Këshillin e Ministrave të rrisë pagën e një grupi të administratës publike. Drejtori i Departamentit të Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsionit dhe drejtori i Departamentit të Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj, në Kryeministri do të përfitojnë një shtesë page mujore prej 8 mijë lekësh të reja. Kjo shtesë do të jepet mbi pagën mujore të kategorisë përkatëse. Ndërsa inspektori në Departamentin e Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsionit dhe koordinatori në Departamentin e Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj, në Kryeministri, përfitojnë një shtesë, për kushte pune, prej 10 mijë lekësh në muaj, mbi pagën bazë mujore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›