E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita dhe mazhoranca, polemika për korrupsionin

Në seancën e djeshme parlamentare, deputeti i opozitës Marko Bello ka lëshuar një sërë akuzash për korrupsionin ndaj mazhorancës qeverisëse. Në fjalën e tij, Bello ka sjellë edhe një herë raportin e "Trasparency International" duke theksuar se ai zbuloi duart e nxira të qeverisë, duke e renditur Shqipërinë në vendin e tretë për nivelin e korrupsionit. Ndërsa deputeti tjetër i opozitës Andis Harasani i kujtoi qeverisë se duhet t‘i japë fund abuzimit me energjinë elektrike. Ai i ka kërkuar qeverisë që tani që Fierza është e mbushur të reduktojë orarin e kufizimeve të furnizimit me energji. Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Mediu, u është përgjigjur akuzave të opozitës në lidhje me privatizimin e një pjesë të Spitalit Ushtarak, në mënyrë të padrejtë. Sipas Mediut kjo nuk është e vërtetë, pasi të gjitha procedurat janë bërë konform ligjit dhe kjo është evidentuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Debate të shumta në Kuvend kanë shkaktuar edhe marrëveshjet për hapjen e një fabrike çimentoje në Fushë-Krujë. Sipas opozitës kjo është një aferë ku janë implikuar familjarët e Kryeministrit Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›