MTKRS: “Ndërtimet pa leje po shkatërrojnë Durrësin”
Instituti I Monumenteve të Kulturës, dhe Drejtoria Rajonale e Monumenteve Durrës, nga verifikimet në sheshin e ndërtimit që ndodhet në lagjen nr.6, rruga “Maliq MuÇo’ zona B, si dhe sipas hartës së zonifikimit arkeologjik ka konstatuar se vazhdojnë punimet për hapjen e gropës me destinacion objekt shumëkatesh banimi. Pasojë e këtyre gërmimeve është dëmtimi i shtresës arkeologjike dhe i një ndërtese antike me dy ambjente 3x2 metra secila. Subjekti “LIM-EM” nuk ka paraqitur asnjë lloj dokumentacioni pranë Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, ku të kërkohej leja për fillimin e punimeve arkeologjike. Edhe pse zona ku pretendohet të ndërtohet (zonaB) është zonë me intesitet të lartë arkeologjik e për rrjedhojë, ndërhyrjet duhet të kryhen me miratimin dhe pjesëmarrjen e specialistëve, aspekt që mesa duket, nuk është marrë prasysh nga subjekti kundravajtës.
Në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës thuhet: “Pa pasur asnjë lloj leje për fillimin e punimeve arkeologjike dhe në kundërshtim të plotë me nenet 47,48, të ligjit 9048 dt.07.04.2003 i ndryshuar, (Për trashëgiminë kulturore) subjekti privat ka filluar dhe vazhdon punimet. Bazuar në ligjin 9048 dt. 07.04.2003 i ndryshuar, për trashëgiminë kulturore është kërkuar disa herë që Inspektoriati Ndërtimor Durrës të ndërhyjë për ndërprerjen e punimeve (shkresat nr. 214 dhe 216 prot.) por nuk ka pasur asnjë reagim nga ky Institucion. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve thekson se do të ndjekë të gjitha hapësirat që lejon ligji për “Trashëgiminë kulturore” ndaj subjektit në fjalë.
27 Qershor 2008