“Toka e grave” vjen sot në Millennium II
Karter Veb është një shkrimtar i ri që lodhet shumë për të rënë në sy. Do të donte të shkruante skenarin e jetës, por në fakt, për të jetuar shkruan dialogje filmash pornografikë. Eshtë i dashuruar me Sofinë, një aktore shumë e bukur që vendos të vazhdojë karrierën e saj pa të, duke e lënë në një dëshpërim të thellë. Pasi mëson se gjyshja e tij është sëmurë, vendos të lërë Los Anxhelosin e të shkojë tek ajo, për t’u kujdesur, por edhe më shumë, për të lënë pas historinë me Sofinë. Në Michigan njeh Sarën dhe vajzat e saj, Lusi e Pejxh, fqinjët në anën tjetër të rrugës dhe fillon të shoqërohet me to duke marrë pjesë në problemet e shqetësimet e tyre. Edukimi sentimental që tre protagonistët i japin njëri-tjetrit është tema e komedisë së shkëlqyer “In the land of women”, e cila fillon të shfaqet në kinema Millennium II në Tiranë ditën e premte. Në qendër të filmit është universi femëror të cilin me sa duket regjisori e njeh mjaft mirë, por edhe ai familjar; një mijë të pathëna që mund të krijojnë fraktura, heshtjet që të largojnë, por edhe dashuria që sidoqoftë arrin të gjejë rrugën e vet. Në këtë komedi, mes protagonistëve shihen protagonisti i “The OC”, Adam Brody, idhulli aktual i adoleshentëve dhe aktorja e njohur Meg Ryan, e cila prej dy vitesh qëndronte larg Hollivudit.
Skeda e filmit
Titulli: “In the land of women”
Regjia: Jon Kasdan
Skenari: Jon Kasdan
Aktore: Meg Ryan, Adam Brody, Elena Anaya, Kristen Stewart
Gjinia: Komedi, dramë, romancë
Kohëzgjatja: 97 min
Muzika: Stepehn Trask
Prodhuar nga : Castle Rock Entertainment Warner Bross
Sinopsi: Carter Webb (Adam Brody) pasi ka dështuar në karrierën e tij si shkrimtar dhe është ndarë nga e dashura shkon në Michigan për t’u kujdesur për gjyshen. Këtu ai do të ndërtojë menjëherë një marrëdhënie të veçantë me fqinjët e gjyshes, shtëpiaken Sarah Hardwicke (Meg Ryan) me të cilën do të përjetojë një lidhje dashurie si dhe vajzën e saj adoleshente. Kjo marrëdhënie do të devijojë plotësisht jetën e Carter-it.
27 Qershor 2008