Prishtinë, ndërtimi i “Kosova C” do të diskutohet me popullsinë
Kanë nisur në Prishtinë bisedimet për ndërtimin e një termocentrali të ri dhe Ministria e Energjisë dhe Minierave ka shpalosur draft-dokumentin mbi rëndësinë e ndërtimit të termocentralit të ri “Kosova C” dhe hapjen e minierës së re. E veçanta e këtij projekti është diskutimi i tij edhe me popullsinë e cila është e para që do të dëmtohet nga ndotjet e mundshme. “Qeveria e Kosovës është pajtuar që projekti të realizohet duke marrë parasysh të gjitha aspektet mjedisore dhe sociale. Raporti është bërë në dy faza. Në fazën e parë janë anketuar me 1580 ekonomi familjare. Projekti paraqet opsione të ndryshme për lokacionin e projektit “Kosova C”, ndërtimit të kapaciteteve, dhe anën mjedisore, duke përfshirë teknologjinë më të avancuar”,-u shpreh gjatë një konference, ministrja e Energjetikës dhe Minierave, Justina Pula.
JAPONI
Filloi takimi i G8-s për krizat globale
Ministrat e Jashtëm të Grupit të tetë vendeve më të industrializuara filluan dje bisedimet dyditëshe në Kioto.
Ministrat e G8-s janë pajtuar se duhen më shumë përpjekje për sigurimin e kufijve të Afganistanit si dhe për stabilizimin e çmimeve të ushqimit e të naftës, në mënyrë që të shmangen krizat globale. Bisedimet u fokusuan edhe në mosmarrëveshjet bërthamore me Korenë Veriore, Iranin, si dhe në krizën politike në Zimbabve.
AFRIKË
Epidemia e SIDA-s, klasifikohet katastrofë
Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Shoqatat e Gjysmë Hënës së Kuqe e kanë konsideruar epideminë e SIDA-s në Afrikën e Jugut një katastrofë të vërtetë për shkak të përhapjes së madhe dhe pasojave që po shkakton në këtë vend shumë të varfër.
Organizatat kanë konsideruar se kriza përputhet me përkufizimin e Kombeve të Bashkuara për katastrofën si një ngjarje që del jashtë aftësive të një shoqërie të vetme për ta përballuar e vetme.
IRAK
Nga sulmi vetëvrasës me bomba, 12 të vdekur
Një kamikaz ka vrarë dje të paktën 12 persona dhe ka plagosur 12 të tjerë në një mbledhje të një këshilli lokal fisnor në një ndërtesë qeveritare në Karma, afër qytetit Falluxha, bëri të ditur policia irakiane. Karma gjendet në provincën me shumicë myslimane sunite, Anbar, në të cilën aktualisht duket se dhuna vazhdon. Sulmuesi kishte hyrë në ndërtesë, dhe kishte aktivizuar lëndët shpërthyese. Ky është sulmi i tretë brenda javës.
SHBA
Arrestohen 389 pedofilë që shfrytëzonin fëmijët
389 persona janë arrestuar gjatë 5 ditëve të fundit në SHBA, për shkak të përfshirjes në prostitucionin e fëmijëve. FBI-ja njoftoi se 21 fëmijë janë shpëtuar nga operacioni. Me anë të këtij hulumtimi janë zbuluar manipulime të shumta, duke filluar nga prostitucioni i fëmijëve nëpër vendndalimet e kamionëve, e deri tek ofrimi i shërbimeve nëpërmes internetit. “Qëllimi ynë është mbrojtja e fëmijëve”, - tha drejtori i FBI-së, Robert Muller.
27 Qershor 2008