E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në PS, Elbasani shkon në raundin e dytë

Përfundojnë votimet në Sarandë, Devoll dhe Vlorë. Ish-deputeti shkon në balotazh

Mbyllen zgjedhjet në strukturat e PS-së në katër rrethe të vendit, ku janë zgjedhur krerët e degëve. Vetëm Elbasani ka dalë në balotazh, pasi nuk ka fituar asnjëri prej kandidatëve.

Sarandë

Dje ka qenë dita e votimit në degët lokale të PS-së në Sarandë e Delvinë. Nga 12 kandidaturat e mbërritura në kryesinë e PSSH-së, pas dorëheqjes së tre prej tyre, ajo ka përzgjedhur 3 prej tyre për Sarandën. 116 votues socialistë në Sarandë kanë votuar Agim Aumanin, Gjergj Mërkurin dhe Mimoza Arapajn. Procesi zgjedhor u ka marrë atyre më shumë se 4 orë. Numërimi i votave nga votimi i parë ka rezultuar balotazh mes mësuesit të matematikës Gjergji Mërkuri dhe mësueses nga Konispoli, Mimoza Arapaj. Pas raundit të dytë të votimit, më shumë vota ka marrë Gjergji Mërkuri, i cili u votëbesua kështu për të marrë drejtimin e asamblesë socialiste për rrethin e Sarandës, me kthimin në strukturat e mëparshme të kësaj force politike. Ndërsa në Delvinë janë vënë përballë Arjan Harizi, Fatbardha Ballaci dhe Sotir Davella. Nga votimi i bërë ka rezultuar fitues Sotir Davella, ekonomist në Mesopotam.

Elbasan

Socialistët e Elbasanit, në procesin zgjedhor për votimin e kreut të degës lokale të këtij qarku do t’u duhet të votojnë sërish, sepse asnjëri nga kandidatët nuk ka fituar kuorumin e mjaftueshëm të votave për t’u zgjedhur kryetar i degës së PS-së për këtë qark. Në garë për kreun e Partisë Socialiste në rrethin e Elbasanit janë vënë tre ish-kandidatë për deputetë në Parlamentin e Shqipërisë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ndriçim Hysa, Arben Kamami dhe Astrit Halili, janë kandidatët për të cilët është votuar në Elbasan, për të përcaktuar kështu drejtuesin e ri të kësaj force politike më e madhja e opozitës parlamentare. Votimi ka vazhduar me dyer të mbyllura deri në orën 15.30 minuta, ku më pas ka nisur numërimi i votave për secilin kandidat. Në përfundim, kandidati Ndriçim Hysa ka marrë 150 vota, Astrit Halili 102 vota dhe Arben Kamami, 92 vota.

Devoll

Procesi zgjedhor për kreun e Partisë Socialiste ka nisur me vonesë në rrethin e Devollit, për shkak të debateve që kanë nisur që me mbledhjen e parë për komisionerët. Procesi që duhet të niste në orët e mëngjesit është vonuar, kur dy nga votuesit kanë kundërshtuar përbërjen e komisionit me pretendimin se ka shkelje të statutit. Kjo ka bërë që nga 88 votues në lista, dy prej tyre të refuzojnë procesin duke u tërhequr. Zgjedhja e kryetarit ka nisur me një orë vonesë dhe më pas ka vijuar pa probleme. Nga rezultatet mes tre kandidatëve ka dalë fitues Arben Agolli që mbante të njëjtin pozicion në degën e Partisë Socialiste. Ai ka fituar me 61 vota. Ndërkohë në Korçë mes tre kandidatëve Muharrem Meko, Ermir Skënderasi dhe Sytki Mullai, nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, kryetari i ri ka dalë Muharrem Meko, i cili mbante pozicionin e sekretarit të partisë për rrethin me 151 vota.

Vlorë

Kanë garuar tre kandidatë për kreun e rrethit: Kujtim Sulçe, Arqile Mishtaku, si dhe Neime Piero, e cila u tërhoq. Në përfundim të votimit fitoi Kujtim Sulçe me 168 vota, kundrejt 87 të Mishtakut.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›