PS: Të ngrihet një komision i ri hetimor për 28 qershorin
Opozita ka ofruar dje përkthimin zyrtar politik të rezolutës së Parlamentit Europian të miratuar tri ditë më parë. Në një konferencë për shtyp, sekretari i grupit parlamentar të selisë rozë, njëkohësisht një nga negociatorët opozitarë në Strasburg, Taulant Balla, deklaroi se dokumenti në fjalë kushtëzon integrimin e vendit me zgjidhjen e krizës politike, e cila, sipas tij, ka vetëm një rrugë: ngritjen sa më shpejt të një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit me drejtim dhe shumicë opozitare. “Zgjidhja e krizës politike e propozuar nga Parlamenti Europian nis me krijimin e një komisioni hetimor parlamentar, të kryesuar nga opozita dhe me shumicë të anëtarëve të zgjedhur nga opozita. Ky kushtëzim i rezolutës është mjaft i rëndësishëm, pasi hedh katërcipërisht poshtë pretendimin e pushtetit të Sali Berishës, se komisioni hetimor i ngritur në Kuvend vetëm me votat e Saliut është legjitim dhe funksional”, tha Balla. Përpos faktit se PE-ja kërkon nisjen e transparencës së 28 qershorit, me miratimin e rezolutës së re në Tiranë përcillet edhe një mesazh tjetër, që ka të bëjë me manovrën e shumicës në pushtet me komisionin ekzistues, i cili nuk funksionoi për asnjë moment. Balla ka vlerësuar se ajo çfarë u përpilua e mandej u miratua në Strasburg ditët e fundit e rrëzon përfundimisht legjitimitetin e këtij komisioni që u njoh vetëm nga mazhoranca, teksa u jep hapësirë të re kërkesave të opozitës, duke sugjeruar me tone të forta edhe objektin e hetimit. “Parlamenti Europian kërkon ngritjen e një komisioni të ri hetimor, duke e bërë nul përfundimisht komisionin e Saliut. Komisioni i ri hetimor duhet të ketë rregulla të qarta, shumicë të opozitës dhe të drejtohet nga opozita. Rezoluta e Parlamentit Europian shkon edhe më tej, duke kërkuar që komisioni i ri hetimor, me shumicë dhe kryetar të opozitës, të ketë mandat për të hetuar materialet elektorale të zgjedhjeve të fundit”, tha Balla. Pa përmendur fletët e votimit, ai ka lënë të kuptohet edhe një arritje tjetër e opozitës, e cila tanimë ka në dorë argumentin për të kërkuar këqyrje të kutive të materialeve përpara se ato të shkojnë në arkiv. Ndryshe, ky procedim hetimor ballafaqohet me atë çfarë parashikon Kodi Zgjedhor, duke krijuar një precedent anashkalues, por edhe duke rrëzuar politikisht alibinë e një vendimi të gjykatave. Kjo qasje opozitare merr vlerë, për shkak se Kryeministri Sali Berisha e pranoi si pozitive rezolutën, duke ofruar edhe hetimin e materialit zgjedhor. Unifikimi i palëve në termin ‘material zgjedhor’ i jep kështu avantazhin PS-së që të marrë “koncesionin” e një komisioni hetimor, i cili qoftë edhe me këtë praktikë të hetimit të përmbajtjes së kutive eliminon “bllokimin” e krijuar nga neni 178, pika 6 e Kodit Zgjedhor.
#