Humbet Bilishti, presidenti largon 5 lojtarë nga ekipi
Presidenti i Bilishtit Spartak Meraku ka përjashtuar dje pesë futbollistë nga skuadra që ai drejton (është edhe trajner i këtij ekipi). Menjëherë pasi ka përfunduar takimi me Besëlidhjen presidenti ka kërkuar që pesë futbollistë të dorëzojnë uniformat e tyre, pasi nuk do të jenë më pjesë e këtij ekipi. “është marrë kjo masë nga ana ime për shkak se këta futbollistë nuk kanë pasur impenjimin e duhur në këtë fazë të dytë. Kanë qenë shumë dobët në fushën e lojës dhe me këtë ndeshje jam bindur plotësisht se nuk duhet më të jenë pjesë e jona”, ka pohuar ai. Lojtarët, Taçi, Kotemelo, Maçolli, Tushinka dhe Allamani s’do të jenë më pjesë e Bilishtit për pjesën e mbetur të sezonit. Bilishti u mund dje në fushën e vet nga Besëlidhja me rezultatin 1-2. Miqtë nga Lezha shënuan të parët, madje dy herë me anë të Ndrekës dhe Haxhiut ndërsa goli i vetëm i bilishtarëve u shënua nga Rustemi. Barazim pa gola në ndeshjen tjetër Burreli-Lushnja, ku kanë qenë lushnjarët ata që kanë kërkuar më së shumti tri pikët. Madje në pjesën e dytë trajneri Bano luajti me tre sulmues të mirfilltë por që s’arritën të shënonin në portën e matjanëve.