E Diel, 1 Nëntor 2026

Sindikatat: Brenda këtij viti janë shkurtuar 20 mijë vende pune



Jonida Tashi

Plot 20 mijë vende pune janë shkurtuar vetëm gjatë muajve të parë të këtij viti në sektorë të ndryshëm të vendit. Shifra bëhet e ditur nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH). Presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, ka bërë publike dje, në një konferencë shtypi, numrin e të larguarve nga puna për vitin 2010, në sektorë të veçantë. Sipas shifrave të nxjerra nga Konfederata e Sindikatave, më shumë punonjës janë larguar nga puna në sektorin e fasonëve, sektorin e ndërtimit, autostradën Durrës–Kukës dhe sektorin e arsimit. Nisur nga situata e krijuar në vend, për shkak të shkurtimeve të vendeve të punës dhe krizës ekonomike, faktorë që kanë vënë në vështirësi mijëra familje shqiptare, sindikatat bëjnë apel njëzëri që në ditën simbol të punëtorëve, që është data 1 Maj, shqiptarët të ngrihen për të kërkuar punë–siguri-drejtësi. Sipas sindikalistëve, vetëm në këtë mënyrë, ne luftojmë varfërinë, krizën ekonomike, rritim mirëqenien, sigurojmë punësimin, jetojmë me dinjitet, dhe kështu bëhemi pjesë e Europës.
Deklarata
Politika planifikon t’u rrëmbejë 1 Majin punëtorëve. Ky ka qenë thelbi i deklaratës së bërë dje nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, e cila shpreh pakënaqësinë e saj për veprimet arbitrare dhe totalitare, që forcat politike po përpiqen për të ushtruar ndikimin e tyre në mënyrë të dhunshme mbi masat punonjëse nëpërmjet mitingjeve dhe paradave festive, si një pjellë e sistemit komunist dhe diktatorial. “Ne denoncojmë si antiligjore dhe të pamoralshme 5 ditët e zborit ushtarak, që forcat politike do të thërrasin për manifestime e parakalime nga data 26 prill deri më 1 Maj 2010, për të trumbetuar sukseset dhe për të hedhur valle e karafila të kuq për fitoret e arritura nga kriza ekonomike, papunësia, varfëria, kriminaliteti, korrupsioni, fenomene që Shqipërinë po e dërgojnë me trenin e fundit në Europë. Askush nuk ka të drejtë ta përvetësojë 1 Majin, Ditën e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punonjësve të gjithë botës, ajo është një ditë e punëtoreve, një ditë e shënuar për të gjitha sindikatat, që mbrojnë në të gjithë botën e lirë dhe demokratike interesat e punëtorëve dhe të drejtat e njerëzve të punës”,- shkruhet në deklaratën e Konfederatës. Gjithashtu, nëpërmjet deklaratës së djeshme, sindikatat denoncojnë parakalimin festiv të datës 1 Maj, që do organizojë Partia Demokratike (PD). “Fatkeqësisht në këtë formë, më 1 Maj do të festohet vetëm në sheshet e Tiranës nga Partia e Sali Berishës, dhe ato të Kubës së Fidel Kastros, ndërsa në të gjithë sheshet e botës së qytetëruar perëndimore, duke filluar që nga Nju Jorku, Parisi, Londra, Roma, Boni, e deri në Pekinin komunist do të protestohet për të realizuar të drejtat dhe liritë e punëtorëve, për të përkujtuar vuajtjet dhe sakrificat e tyre dhe për të synuar një jetesë më të mirë e punë të denjë për të gjithë”,- është shprehur Kol Nikollaj.
Protesta
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, këtë vit ka vendosur që më 1 Maj të protestojë në të gjitha qytetet e Shqipërisë, pasi protestat dhe veprimi sindikal i japin jetë shpirtit demokratik, zgjojnë vetëdijen qytetare dhe bëjnë të mundur bashkimin e të gjitha shtresave të shoqërisë shqiptare. Kjo, sepse, sipas sindikalistëve, kërkesat edhe interesat e sindikatës janë në thelb kërkesa, interesa të çdo shqiptari, të çdo familje shqiptare, të gjithë shoqërisë shqiptare. Me këtë rast, Konfederata e Sindikatave fton edhe politikën shqiptare që t’i bashkohet protestës së saj, duke filluar që nga Bulqiza e minatorëve, ku me mijëra qytetar e minator do të kërkojnë kushte pune, përmirësim jetese, e mbi të gjitha Statusin e premtuar të Minatorit. Më tej protestat, sipas Konfederatës, do të vazhdojnë me sindikalistët e Mirditës e të Shkodrës, të cilët do të protestojnë jo vetëm për varfërinë ekstreme që i ka pllakosur, por dhe me mashtrimin e shpërblimeve dhe të shpronësimeve nga autostrada e shekullit dhe përmbytjet e shtetit. Po ashtu edhe në Durrës, do të dalin të protestojnë me qindra punëtor, për pasojat e krizës ekonomike, humbjet e vendeve të punës. Sipas KSSH-së, në Fier, Vlorë e deri në Orikum, do të protestojnë naftëtarët, bujqit, arsimtarët, të cilët çdo ditë po mashtrohen, po varfërohen dhe askush nuk pyet për ta. Në Elbasan, Pogradec e Korçë, jo vetëm metalurgët por edhe arsimtarët, mjekët, punonjësit e administratës publike do të protestojnë jo vetëm për varfërinë dhe mos mbajtjen e premtimeve, por dhe për shkeljen e të drejtave dhe lirive të punës, për veprimet arbitrare të administratës, si largimet nga puna, etj. Prandaj, në emër të KSSH-së, Kol Nikollaj, u bën thirrje të gjithë punëtorëve, të papunëve, pensionistëve, të rinjve e të rejave, që t’i bojkotojnë këto tubime dhe parakalime suksesesh, e t’i bashkohen protestave të sindikalistëve, thelbi së cilave janë tri kërkesa themelore: punë–siguri-drejtësi.

Vendet e punës që janë shkurtuar gjatë këtij viti:
Sektori i arsimit 1300
Sektori i administratës publike 250
Autostrada Durrës–Kukës 3000
Autostrada Fier–Vlorë 600
Sektori i fasonëve 7000
Ndikimi i krizës greke në jug të vendit 2000
OSSH (shpërndarja e energjisë elektrike) 700
KESH 150
Sektori i naftës 600
Sektori i metalurgjisë 300
SME, agroushqimor, turizëm, tregti, etj.
nga përmbytjet në Shkodër 600
Sektori minerar 500
Sektori i transportit (konkurrenca) 500
Sektori i ndërtimit 2500
Gjithsej: 20 000

Punësimi në Itali
Punëdhënësit italianë nisin shpalljen e kërkesave për 80 mijë punonjës sezonalë

Autoritetet italiane shpallin hapjen e aplikimeve për punësimin sezonal gjatë vitit 2010. Sipas njoftimit të publikuar dje zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Brendshme italiane, duke filluar që nga data 29 mars deri më 30 prill, punëdhënësit italianë mund të plotësojnë modularët dhe të bëjnë kështu hapin e parë për marrjen e 80 mijë punonjësve sezonale, të cilët, do të punojnë kryesisht në bujqësi, në sektorin e turizmit dhe në atë të ndërtimit. Pas përfundimit të këtij procesi, do të detajohen nevojat për punëtorë të huaj, ku përfshihen edhe shqiptarët, që ka çdo provincë italiane. Pas kësaj, çdo shqiptar i interesuar për t’u punësuar në Itali, ka të drejtë të paraqesë kërkesën e tij. Edhe këtë vit, interneti do të jetë i vetmi mjet, për të paraqitur kërkesat për punonjës sezonalë në Itali. Meqenëse procedura parashikon disa hallka të mëtejshme në institucione të ndryshme, Konfederata e Bujqësisë bën të ditur se vonesat e mundshme vënë në rrezik vjeljen e disa prodhimeve si luleshtrydhet në zonën e Veronës, mollët në Trentino apo rrushin në Piemonte. Janë rreth 30 mijë ndërmarrjet bujqësore që marrin punonjës sezonalë nga 155 vende të ndryshme të botës, me të cilat Italia ka marrëveshje punësimi. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, shumica e emigranteve (17,2%) që vijnë në Itali për të punuar në sektorin bujqësor janë shqiptarë.

30 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›