E Diel, 1 Nëntor 2026

Masterplani, Bashkia e Tiranës prezanton fazën e parë të projektit për korsitë rrugore



Jonida Tashi

Bashkia e Tiranës prezantoi dje në terren, fazën e parë të projektit “Transporti Multimodal/Korsitë e Dedikuara dhe Rritja e Sigurisë Rrugore”. Zbatimi në terren i këtij projekti u realizua tek kryqëzimi i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Projekti i “Transportit Multimodal/Korsitë e Dedikuara dhe Rritjes së Sigurisë Rrugore” parashikon punimet e ndërtimit të sinjalistikës për sistemimin e infrastrukturës së rrugëve dhe trotuareve, sipas parimit të shpërndarjes së sipërfaqes së rrugës për çdo përdorues (makina private, transport publik, këmbësor), duke i dhënë prioritet mjeteve të shërbimit publik, lëvizjes me biçikleta dhe lëvizjes këmbësore. Pra, me anë të këtij projekti përmbyset situata ekzistuese dhe krijohet një standard i ri bashkëkohor në lëvizje, sepse mjetet e shërbimit publik (autobusët, ambulancat etj.) biçikletat, këmbësorët marrin prioritet në lëvizjen në rrugë, në raport me makinat/mjetet private.
Projekti
Duke folur mbi rëndësinë e këtij projekti, i cili do të modernizojë më tej infrastrukturën e lëvizjes në kryeqytet, kryebashkiaku Rama, u shpreh ndër të tjera: “Përpara disa ditësh ne prezantuam për publikun Masterplanin e Madh të Transportit në Tiranë. Sot, ne i prezantojmë publikut një pjesë të këtij Masterplani, duke filluar me shtimin e atyre elementeve të transportit multimodal që janë vënë re tek–tuk në Tiranë në këto vite, por që do të bëhen tashmë pjesë integrale e transportit, në korsi të dedikuara për autobusët, në korsi të dedikuara për biçikletat, në korsi, të cilat i japin përparësi atyre që nuk përdorin transportin privat dhe njëkohësisht me krijime hapësirash të ndërmjetme që lehtësojnë edhe më shumë këmbësorët”. Sipas kryebashkiakut Rama, ky është një projekt ambicioz, që do të shtrihet në kohë, pasi do të ndahet në disa faza, qoftë për efekt të ndërhyrjeve, qoftë për efekt të financimit. Kreu i Bashkisë së Tiranës shprehet i sigurt se ky është projekti që esencialisht modernizon një shkallë më tutje infrastrukturën e lëvizjes në kryeqytet, duke krijuar premisa të mirëfillta për lehtësimin e trafikut në të ardhmen, pavarësisht shtimit të numrit të makinave. “Është një projekt modernizues i standardeve europiane që afron më shumë kryeqytetin tonë, në mënyrën e të lëvizurit dhe të bashkëjetuarit në hapësirën publike, si në Europë, falë gjithë këtyre elementeve të rinj, nga elementë të shfaqur në mënyrë sporadike në dy apo tre vende deri më sot, do të jenë elementë përbërës të infrastrukturës së kryeqytetit”,- u shpreh Rama.
Transporti
Transporti në përgjithësi dhe transporti publik në mënyrë të veçantë është një nga tre prioritetet më kryesore të punës dhe investimeve të Bashkisë së Tiranës. Këtë fakt e kanë përcaktuar vetë qytetarët e Tiranës, mendimi i të cilëve ndikon drejtpërdrejt në politikat e investimeve të Bashkisë së Tiranës, kur në sondazhin e përvitshëm publik “Transparenca për Bashkinë e Tiranës” (2009), votuan transportin publik, si prioritetin kryesor të tyre, krahas infrastrukturës dhe gjelbërimit. Për këtë qëllim, përgjatë të gjithë vitit 2010, Bashkia e Tiranës do të verë në zbatim dhe do t’i prezantojë qytetarëve të Tiranës disa projekte të rëndësishme, me anë të të cilave do të zbatojë në terren Planin e Masave që rekomandohen si zgjidhje të problemeve të transportit, nga Masterplani për Zhvillimin e Transportit të Qëndrueshëm për qytetin e Tiranës (2020). Ashtu siç u prezantua publikisht në datën 18 mars, nëpërmjet “Masterplanit të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Transportit për Qytetin e Tiranës (2020)”, me anë të këtij Masterplani, Bashkia e Tiranës, ka në dorë elementët për zgjidhje, në lidhje me: lëvizjen/trafikun; transportin publik; infrastrukturën e lëvizjes dhe të transportit; nevojën/idetë për inovacion dhe teknologji të reja të transportit, drejt një zhvillimi të qëndrueshëm të tij. Ky Masterplan, sipas Bashkisë së Tiranës, nuk është vetëm një dokument në letër, pasi ai tashmë ka filluar të zbatohet. Bazuar në elementet e dhënë nga Masterplani, Bashkia e Tiranës hartoi një seri projektesh me masa komplekse, të integruara, efikase, për t’i dhënë zgjidhje optimizimit të sistemit ekzistues të transportit publik, rritjen e rrjedhshmërisë së qarkullimit, sidomos duke prioritizuar lëvizjen e mjeteve të transportit publik dhe lëvizjen këmbësore, përkundrejt lëvizjes me makina dhe rritjes së sigurisë rrugore.

Çfarë është “Projekti i Transportit Multimodal/Korsitë e Dedikuara dhe Rritjes së Sigurisë Rrugore”
Projekti parashikon punimet e ndërtimit të sinjalistikës për sistemimin e infrastrukturës së rrugëve dhe trotuareve, sipas parimit të shpërndarjes së sipërfaqes së rrugës për çdo përdorues (makina private, transport publik, këmbësor), duke i dhënë prioritet mjeteve të shërbimit publik, lëvizjes me biçikleta dhe lëvizjes këmbësore. Pra, me anë të këtij projekti përmbyset situata ekzistuese dhe krijohet një standard i ri bashkëkohor në lëvizje, sepse: mjetet e shërbimit publik (autobusët, ambulancat etj.), biçikletat, këmbësorët marrin prioritet në lëvizjen në rrugë, në raport me makinat/mjetet private.
Kjo duke realizuar:
1.Fazën I të vendosjes së korsisë së rezervuar “Bus”, në disa pjesë të rrugëve, në rrugët më kryesore të qytetit:
Rruga e Kavajës (segmenti qendër-sheshi “Ataturk”)
Rruga Durrësit (segmenti qendër–sheshi “Karl Topia”)
Rruga “Mine Peza”
Bulevardi “Zhan Dark”
Bulevardi “Gjergj Fishta”
Bulevardi “Bajram Curri”
Rruga “Muhamet Gjollesha”
Bulevardi “Zogu i Parë”
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Rruga “Sulejman Delvina”
Rruga e “Dibrës” (nga farmacia 10 deri tek ish-ndërmarrja “Rruga/Ura”)
2.Fazën I të vendosjes së korsisë së rezervuar “Biçikletë” në disa rrugë si:
Rruga e Kavajës (segmenti qendër-sheshi “Ataturk”)
Rruga e Durrësit(segmenti qendër–sheshi “Karl Topia”)
Bulevardi “Zhan D’Ark”
Bulevardi “Gjergj Fishta”
Bulevardi “Bajram Curri”
Rruga “Muhamet Gjollesha”
Bulevardi “Zogu i Parë”
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
3.Faza I për sistemimin e kalimeve të këmbësorëve në kryqëzime, ndarësit e trafikut si dhe vendkalimet përgjatë akseve rrugore, duke marrë në konsideratë standardet që kërkon lëvizja e njerëzve me aftësi të kufizuara,(vendosjen në trotuar të pllakës për të verbrit). Janë rreth 390 rampa që do të ndërtohen, me qëllim rritjen e lehtësisë së lëvizjes së këmbësorëve.
4.Rikonceptim i 14 kryqëzimeve për një menaxhim më të mirë të trafikut. Shembulli i këtij menaxhimi është edhe kryqëzimi tek Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, duke mundësuar një rimenaxhim të trafikut dhe flukseve të lëvizjes.
5.Projekti parashikon vendosjen e sinjaleve rrugore dhe elementëve të sigurisë si:
Ndarësit plastikë të korsisë së rezervuar “Bus”.
Korsia e biçikletës në kryqëzime do jetë e dallueshme me ngjyrë dhe e shoqëruar me sinjalizimin përkatës, përgjatë vazhdimësisë së saj.
Sinjalet e ndriçueshëm dhe elektronikë për lëvizjen këmbësore.
Sinjalet elektronikë për lëvizjen e mjeteve “Bus” dhe korsive të biçikletës.
Sinjalizimin tabelor dhe vijëzimi përkatës.

Avantazhet/rezultatet e pritshme

Zbatimi i këtij projekti do të ketë një impakt të rëndësishëm në rritjen e shpejtësisë mesatare të lëvizjes së mjeteve të shërbimit të transportit publik, gjë që ka një impakt pozitiv në rritjen e efikasitetit të shërbimit dhe do të thotë: reduktim i trafikut me mjete private; më shumë siguri; ulje e kostos së shërbimit; më shumë ndërrime linjash dhe mundësi lëvizjeje; respektim i orareve të shërbimit; respektim i frekuencës. Gjithashtu, do të thotë më pak aksidente dhe një menaxhim më i mirë i trafikut, duke mundësuar një ndërlidhje të masave të Masterplanit të Transportit si për shembull, bashkërendimi me Qendrën e Menaxhimit dhe Kontrollit të Trafikut, për të mundësuar Integrimin e Rrjetit Semaforik (vala jeshile) dhe dhënien e prioritetit të mjeteve “Bus” të transportit publik.

Kostot e mjekimit
QSUT ngre grupet e punës për hartimin e protokolleve dhe udhërrëfyesve

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka ngritur dje katër grupet kryesore të punës për hartimin e protokolleve të mjekimit dhe udhërrëfyesve. Në praninë e drejtorit të QSUT-së, Ilir Dashi dhe drejtorit të Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, Isuf Kalo, mjekët dhe shefat e shërbimeve janë njohur më punën dhe rrugën që duhet të ndjekin. Duke e quajtur si sfidën e vitit hartimin e protokolleve dhe udhërrëfyesve, drejtori i QSUT-së, ka pohuar se kjo është një detyrë që duhet bërë. “Sot, ju do të merrini të gjitha udhëzimet e duhura për të nisur punën. Ky është një aksion i madh, detyrë e lënë nga qeveria, dhe që duhet të përfundohet brenda këtij viti. Ne jemi aktorët kryesorë të bërjes së protokolleve dhe udhërrëfyesve, ndaj do të kërkoja që sa më shpejt të zgjidhni kryetarin e grupit dhe të nisini punën e cila do të mbikëqyret nga shefat e pavijoneve”,- ka pohuar Ilir Dashi. Do të jenë pikërisht katër grupe të mëdha, të ndara përkatësisht: Peditria dhe Neuroshkenca, Kirurgjia, Sëmundjet e Brendshme dhe Onkologjia, të cilat kanë marrë edhe udhëzimet që duhet të ndjekin. “Për hartimin e protokolleve nuk duhet të jetë vetëm eksperienca juaj, por të ketë edhe evidencë. Duhet të zgjidhni disa modele të protokolleve dhe ato duhet të përpunohen dhe të përshtaten sipas sistemit tonë në mënyrë që të jetë praktik për tu zbatuar”,- ka pohuar drejtori i QKCSA-së, Isuf Kalo. Hartimi i protokolleve dhe udhërrëfyesve, do të bëjë të mundur që çdo shërbim shëndetësor në QSUT të ketë koston e tij. Udhërrëfyesit klinikë janë botime mjekësore relativisht të shkurtuara, të cilat krijohen për t’u ardhur në ndihmë profesionistëve të mjekësisë dhe pacientëve, për marrjen e vendimit më të mirë, në trajtimin e tyre. Hartimi i udhërrëfyesve është i nevojshëm, pasi mundëson dhe siguron trajtimin e pacientit në përputhje me literaturën bashkëkohore të bazuar në evidencë.

30 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›