E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: 15 vendet e eurozonës pësojnë rënie

Bashkimi Evropian ka deklaruar së fundi se 15 vende, që përdorin Euron, janë në recesion, ndërkohë që udhëheqësit botërorë mblidhen në Uashington për të diskutuar rreth krizës financiare në botë.

“Rritja ekonomike në zonën ku përdoret Euroja ra me 0,2 për qind në 3-mujorin e tretë të vitit, pas një rënie të ngjashme në 3-mujorin e mëparshëm. Në këtë zonë, Gjermania dhe Italia janë në recesion bashkë me Spanjën dhe Irlandën”- tha BE.

Ndërkohë, Franca publikoi sot statistikat ekonomike, duke vënë në dukje se ekonomia e saj u rrit me 0,1 për qind gjatë 3-mujorit të tretë të vitit.

Hong Kongu njoftoi se ka rënë në recesion gjatë 3-mujorit të tretë. Ndërkohë, udhëheqës nga 20 vendet më të industrializuara të botës dhe vendeve me rritje të shpejtë ekonomike mblidhen këtu në Uashington për të diskutuar rreth krizës financiare. Presidenti George Bush do t’i presë këta udhëheqës sonte për darkë në Shtpëinë e Bardhë. Nesër ata zhvillojnë një takim zyrtar për të diskutuar mbimënyrat për kapërcimin e krizës.

Dje, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, tha në një raport të fundit se aktiviteti ekonomik vitin e ardhshëm do të tkuren me një për qind në vendet, që përdorin Euron, dhe me 0,9 përqind në Shtetet e Bashkuara.(VOA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›