Shpërndarja e librave vijon me radhë të gjata

Pothuajse një javë më parë ka filluar procesi i shpërndarjes së librave në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme. Nëpër të gjitha shkollat e kryeqytetit ka rradhë të gjata të nxënësve dhe prindërve që presin për një kohë të konsiderueshme që t'i blejne librat. Megjithatë problemi kryesor qendron tek mungesa e disa teksteve shkollore, çka i detyron prindërit të drejtohen disa herë në shkolla për t'u pajisur me të gjitha tekstet shkollore para datës së fillimit të vitit të ri shkollor . Arsyeja kryesore sipas prindërve, por dhe drejtuesve të shkollave është mosrespektimi i kontratës nga ana e distributorëve që kanë kontraktuar shtëpitë botuese për shpërndarjen dhe shitjen e teksteve në këto institucione. Nga ana tjeter prindërit mendojnë se shitja e librave nëpër shkolla është një metodë më e mirë dhe më e lehtë për ta sepse të gjitha librat i marrin në një pikë të caktuar dhe nuk kanë nevojë t'i kërkojnë ato nëpër disa librari. Ndërkohë që para datës 25 gusht shkollat kanë vënë në dispozicion mjedise për të gjithë botuesit që kanë fituar të drejtën e çuarjes së librit në atë shkollë mbi bazën e përzgjedhjes. Sigurisht se edhe këtë vit do të ketë kategori që do të përfitojnë me çmim të ulët ose falas librat. Kështu nxënësit që vijnë nga familjet që marrin ndihmë ekonomike dhe nxënësit e pakicave kombëtare do të përfitojnë librat falas. Ndërsa ato familje ku kryefamiljari ka të ardhura mujore më pak se 30 mijë lekë të reja do të paguajnë gjysmë çmimi.