E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërngulen 150 mijë emigrantë bashkë me 250 milionë euro

SHKRUAN: Sabina Veizaj 29-10-2011 10:33

Zhvendosja përfundimtare e emigrantëve shqiptarë nga Greqia në atdhe ka rritur depozitat në valutë me të paktën 8 mld euro që prej muajit qershor

Banka e Shqipërisë raporton për 150.000 emigrantë të riatdhesuar nga vendi fqinj Greqi për shkak të krizës, e cila ka sjellë depozita të reja në banka gjatë kësaj vere, rreth 32 miliardë lekë ose 250 milionë euro. Rritja e nivelit të depozitave në valutë në një ritëm jo normal tregon pikërisht se teprica e rritjes vjen nga depozitimi i kursimeve të emigrantëve të riatdhesuar. Burime brenda Bankës së Shqipërisë tregojnë se edhe për muajin shtator depozitat në valutë janë rritur përtej ritmit normal të rritjes, gjë që tregon shpërnguljen e vazhdueshme të emigrantëve. Në këtë mënyrë, kriza greke po i jep efektet e saj edhe në vendin tonë. Të paktë janë emigrantët, të cilët po investojnë në biznese të vogla, pasi atje ku kanë punuar, në vendin fqinj Greqi, kanë qenë në rolin e të punësuarit dhe situata e krizës i gjeti të papërgatitur përballë mundësisë së hapjes së ndonjë biznesi të mundshëm me rivendosjen në vendin e tyre. Frika e krizës ka bërë që pjesa më e madhe e emigrantëve, kursimet e tyre dhe gjithë ç’kishin për vitet e jetuara në vendin fqinjë t’i depozitojnë pranë bankave tregtare në vend. Duke iu referuar të dhënave të Bankës Qendrore, vetëm në muajin qershor niveli i depozitave në valutë të huaj u shtua në 6 mld lekë, ndërsa në muajin gusht me 21 miliardë lekë, duke i çuar depozitat në sistemin bankar në rreth 845 miliardë lekë, me një rritje rreth 14% krahasuar me gushtin e 2010-ës. Një rritje kjo jonormale në krahasim me ritmin e rritjes së depozitave në valutë të huaj. Kështu sipas BSH-së, i gjithë viti 2011 ka regjistruar shifra përmirësuese për arkëtimet në bankat vendase, me rritje progresive nga muaji në muaj. Ndërsa rritjen e ndjeshme të depozitave në muajin gusht e kanë dhënë depozitat në valutë, në vlerën e rreth 200 milionë eurove. Duke u nisur edhe nga të dhënat e agjencive të huaja, të cilat kanë raportuar se një numër i konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë, të cilët kanë ardhur në Shqipëri për pushimet e verës kanë prerë biletën vetëm vajtje, gjë që tregon se ata do të shpërnguleshin përfundimisht, rritja e depozitave në valutë në muajin gusht ka ardhur veçanërisht nga riatdhesimi i emigrantëve. Ata të ndikuar nga kriza greke, duke mos dashur të përballen me situata rreziku, kanë vendosur të mos investojnë në ndonjë biznes të mundshëm, por t’i sigurojnë kursimet e tyre në depozita, pavarësisht normës së interesit. Sipas bankierëve, kriza në Greqi ka luajtur rol pozitiv në depozitat shqiptare, sepse shumë emigrantë kanë tërhequr kursimet nga bankat greke për t’i depozituar ato në bankat shqiptare. Megjithatë, sipas ekspertëve kriza greke ka efektet e saj pozitive dhe negative. 150 000 emigrantë të papunë, të cilët pritet të jetojnë me interesat e depozitave pa investuar në ndonjë biznes, është barrë e rëndë sociale për shoqërinë shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›