E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërnguljet, ZGJOHU!: Shqiptarët të mos manipulohen

“ZGJOHU!” informon të gjithë qytetarët, se liberalizimi i vizave për qytetarët e Maqedonisë paraqet vetëm një mundësi për udhëtime turistike dhe qëndrime të shkurtra deri në 90 dite në vendet e zonës Shengen pa asnjë mundësi për punë dhe studimi në ato vende. Leja për punë në Evropën Perëndimore mundësohet vetëm nëpërmjet marrjes së vizës të tipit D, që kushtëzohet me lejen e punës në vendin përkatës.

Maqedonia gjithashtu ka nënshkruar marrëveshje me Bashkimin Evropian si dhe me çdo vend anëtar të zonës Shengen për rikthim të qytetarëve të saj, dhe në këto shtete nuk është e mundur t'u jepet azil qytetarëve nga Maqedonia.

Lëvizja “ZGJOHU!” bashkë me Shoqatat e Historianëve, Arsimtarëve, Piktorëve, Intelektualëve, Artistëve dhe Shkrimtarëve shqiptarë si dhe shumë OJQ të tjera, apelojnë deri te të gjithë agjencitë turistike që mos t'i manipulojnë qytetarët shqiptarë duke i keqinformuar rreth mundësive për qëndrim dhe punë në vendet e Evropës perëndimore si rezultat i liberalizimit të vizave për qytetarët e Maqedonisë.

“Mallkimi i kombit do të bie mbi ato që me gënjeshtra po krijojnë radhë të tëra të qytetarëve për të braktisur trojet e baballarëve dhe po shesin pasurinë e tyre familjare për një gënjeshtër turistike për përfitime mbi tragjedinë e popullit”, theksohet në një kumtesë të kësaj lëvizjeje.

“Vështirësitë ekonomike të qytetarëve tanë nuk do të zhduken duke shitur gjithë pasurinë e tyre dhe duke u shpërngulur për të hasur në një zhgënjim edhe më të madh sesa në vendin e tyre. Patriotizmi fillon ke pragu i derës dhe rruga jonë mund të jetë e gjatë, ngjitja jonë mund të jetë e vështirë, por ajo çka historia na ka mësuar është se në këto troje ne vuajmë dhe rimëkëmbemi si një, sepse jemi një”, theksohet në kumtesë.

“Një vend pa artefakte është vend pa kujtesë, një vend pa kujtesë është një vend pa histori, një vend pa njerëzit e vet, nuk është vend”, theksohet në fund të kumtesës së Lëvizjes Qytetare "ZGJOHU!". /alsat-m/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›