E Diel, 1 Nëntor 2026

73 familje përfituan kredi të zbutur

TIRANE-Interesi i qytetarëve për të aplikuar për trajtimin nga shteti me kredi të lehtësuar është rritur ndjeshëm. Ky program që synon t'u vijë në ndihmë familjeve të pastreha, parashikon që interesat e kredisë të mbulohen nga shteti.
Vetëm një muaj më parë Bashkia e Tiranës ka bërë përzgjedhjen e parë të familjeve që do të përfitojnë nga 250 kreditë që mbulohen nga shteti, përkatësisht nga Ministria e Punëve Publike. Lista e emrave të 73 familjeve të cilat kanë fituar të drejtën për t'u trajtuar nga ky program, janë miratuar në mbledhjen e janarit të këshillit bashkiak. Sipas Bashkisë së Tiranës, pasi përzgjidhen familjet që përfitojnë nga ky program, ato nuk kanë më punë me Bashkinë, por duhet të drejtohen në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT) për procedurat e mëtejshme dhe për marrjen e shumës së kredisë, e cila u është përcaktuar nga specialistët e strehimit. Sipas të dhënave të drejtorisë së strehimit pranë Bashkisë së Tiranës, familjet që kanë aplikuar për këtë program janë 221. Duhet të kemi parasysh se në këtë program nuk mund të aplikojë çdo kategori familjeje që është e regjistruar si e pastrehë pranë pushtetit vendor.
Në total numri i familjeve të pastreha në kryeqytet i kalon 4 mijë. Ndaj për këtë program mund të aplikojnë vetëm ato familje që kanë mundësitë ekonomike për të përballuar kredinë. Kështu që të gjithë familjarët që janë të regjistruar zyrtarisht si të pastrehë, e kanë nivelin e të ardhurave në kufijtë: 24 699-41-292 lekë(për familjet e përbëra nga 1-2 persona); 34 356-55 348 lekë (për familjet e përbëra nga 2-3 persona); 44 841-71 431 lekë (për familjet e përbëra nga 3-4 persona); 56 569-90 556 lekë (për familjet e përbëra nga 4-6 persona). Prej 221 familjeve aplikuese për programin e banesave me kosto të ulët, për të përfituar nga trajtimi me kredi nga shteti janë përzgjedhur vetëm 73 prej tyre. Specialistët pranë drejtorisë së strehimit bëjnë të ditur se 26 prej aplikuesve nuk përmbushnin kriterin e të ardhurave; 3 prej tyre kanë në pronësi banesë në vendin e origjinës' 15 prej aplikuesve kalojnë kufirin maksimal të të ardhurave, ndërkohë që shumica e aplikuesve që nuk janë pranuar kanë pasur mangësi në dokumentacionet e kërkuara nga zyra e strehimit. Numri i aplikuesve që nuk janë pranuar për mungesë dokumentacioni është 104.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›