Shpërthejnë çmimet, inflacioni 4.6%
Që nga viti 1999, nuk është regjistruar asnjëherë inflacion më i lartë se ai i muajit mars
Ushqimet shtrenjtohen me 7.7%, çmimet e energjisë rriten me 23.7%
Marsi është muaji me rritjen më të fortë dhe të gjithanshme të çmimeve të konsumit që prej shumë vitesh. Nga kafetë te restorantet, duhani, energjia elektrike, ushqimet dhe uji, të gjitha faturat duket se qenë ndjeshëm më të shtrenjta.
Instituti i Statistikës njoftoi se Indeksi i Çmimeve të Konsumit (inflacioni) u rrit me 4.6% gjatë muajit mars, rritje e udhëhequr nga çmimet e ushqimeve dhe të energjisë elektrike. Ushqimet, të cilat zënë rreth 50% të shpenzimeve mujore të familjeve shqiptare, pësuan një rritje prej 7.7%. Që nga korriku i vitit të kaluar, çmimet e ushqimeve kanë pësuar vetëm rritje. Në shtator 2006 u regjistrua rritja maksimale prej 9.6%. Kjo qe rritja më e madhe mujore e çmimeve që nga viti 1999, kur Shqipëria vendosi objektivin ekzistues zyrtar të inflacionit vjetor 2-4%. Inflacioni doli jashtë objektivit maksimal prej 4% për herë të parë që nga viti 2001 në gusht të vitit të kaluar.
Rritja më e lartë që në '99
Në vitin 1999, falë sasisë së jashtëzakonshme të valutës së huaj që hyri në Shqipëri si pasojë e krizës së të shpërngulurve kosovarë të luftës, niveli i çmimeve në Shqipëri ra për herë të parë që nga viti 1999. Në atë vit, ndihmat e futura pa doganë dhe që u shitën në treg bënë që inflacioni të shënonte vlerë negative vjetore prej -0.88%. Që nga ajo kohë, Shqipëria vendosi objektivin e inflacionit vjetor 2-4%. Vetëm në një rast, në korrik të vitit 2001, si pasojë e shpenzimeve buxhetore për fushatë, çmimet u rritën përtej objektivit maksimal prej 4%. Në vitet në vijim, çmimet e mallrave të konsumit u mbajtën nën fre në Shqipëri kryesisht përmes mekanizmit të kursit të këmbimit. Leku u forcua vazhdimisht kundrejt Euros dhe Dollarit dhe për pasojë, çmimet e mallrave të importit mbetën të lira.
Forcimi i lekut duket se përfundoi në vitin 2006, kryesisht si pasojë e rritjes së deficitit buxhetor nga importet e karburantit dhe të energjisë elektrike. Nga ana tjetër, çmimet e mallrave të konsumit në tregun ndërkombëtar pësuan gjithashtu rritje të ndjeshme. Për pasojë, ekspertët mendojnë se rritja aktuale e çmimeve është e destinuar të vijojë gjatë këtij viti.
Hije monopolesh
Rritja e disa prej produkteve më të rëndësishme, si mielli, gruri dhe nafta, ka qenë e pazakontë këtë vit. Çmimi i naftës u rrit nga 134 lekë/litër në shkurt, në 145 lekë/litër në mars. Çmimet e grurit dhe të miellit u rritën ndjeshëm, brenda një dite, në mars. Ministria e Bujqësisë deklaroi se kishim të bënim me "grupe mafioze", por u mjaftua me këtë deklaratë sapo dyqanet e bukës ofruan bukë 700 gramë, për 80 lekë. Tregu i importit të grurit është përqendruar gjatë viteve të fundit vetëm në tre-katër kompani, të cilat kanë kapacitete financiare të mjaftueshme për të porositur sasi të konsiderueshme. Tregu i miellit është përqendruar në tre-katër fabrika kryesore që kanë kapacitete dominuese në industrinë e blojës në vend. Tregu i vajit, një produkt gjithashtu me çmime të rritura, dominohet nga tre-katër kompani që kanë segmentuar tregun sipas cilësisë së ndryshme të produkteve. Çmimet e mallrave ku ka dominim të pak kompanive në treg, janë rritur shumë më tepër sesa çmimet e mallrave ku nuk ka dominim. Çmimet e veshjeve dhe këpucëve kanë pësuar rënie dhe çmimet e mobiljeve, gjithashtu.
Rritja nga energjia
Një nga faktorët kryesorë të rritjes së inflacionit për marsin qe rritja e çmimeve të energjisë elektrike nga ana e KESH. Sipas INSTAT, rritja për këtë produkt qe 23.7%, një nga rritjet më të forta gjatë viteve të fundit. Enti Rregullator i Energjisë miratoi shkurtin e kaluar çmime të reja për shitjen e energjisë elektrike nga KESH. Që nga 1 Marsi, çmimi mesatar i shitjes është 8.45 lekë, nga 7.21 lekë që qe në vitin 2007. Kjo është rritja më e madhe e çmimeve të energjisë që është kryer në Shqipëri që nga viti 2002. Nga inflacioni 4.6% i muajit mars, 0.6% është furnizuar nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Rritjen e çmimit të dritave duket se nuk do ta vuajë shumë konsumatori drejtpërsëdrejti. Qeveria ka rritur çmimet fort për institucionet buxhetore, gjë që praktikisht do të thotë se KESH do të vijojë të financohet indirekt nga Buxheti i Shtetit dhe se qytetarët do të vijojnë të paguajnë, por kësaj here si taksapagues, jo si konsumatorë energjie. Sektori publik (shkolla, spitale etj.) vlerësohet se konsumon mes një të katërtës dhe një të tretës të energjisë totale në Shqipëri.
Rritje e nëndheshme
Në muajin shkurt, kur çmimi i bukës u rrit ndjeshëm, masat e ndërmarra nga qeveria, kryesisht përmes Administratës Tatimore, që bëri presion mbi prodhuesit e bukës me bllokun e gjobave në dorë, bëri që në mars, çmimi i bukës së zakonshme të kthehej në 80 lekë. Megjithatë, INSTAT thotë se rritja e çmimit të bukës dhe drithërave qe edhe për këtë muaj 31%, gjë që do të thotë se çmimi psikologjik i bukës 80 lekëshe u ruajt vetëm duke ulur peshën. Te ushqimet, rritje tjetër e fortë u regjistrua te vaji, vezët dhe bulmeti. Çmimet e këtyre produkteve u zbutën lehtë në krahasim me shkurtin, megjithatë, në krahasim me marsin 2006, rritja qe 8.1%.
BQE "heq dorë" nga inflacioni
Rritja e çmimeve në Europë gjatë muajve të fundit vuri para përgjegjësisë Bankën Qendrore Europiane, e cila ka për objektiv kryesor mbajtjen e inflacionit nën 2% në Eurozonë. Por rritja e muajve të fundit nuk është një inflacion i furnizuar nga faktorë monetarë e për pasojë, as nuk mund të kontrollohet me mekanizma monetarë. Presidenti i BQE, Trichet, deklaroi para pak kohësh se, "çmimet në Eurozonë do të vijojnë të rriten më shumë se objektivi edhe në muajt në vijim dhe se, BQE nuk mundet ta parandalojë një gjë të tillë".
Në Shqipëri, Banka Qendrore ka rritur normat e interesit bazë në ekonomi pesë herë që nga korriku 2006, kur u shfaqën shenjat e para të inflacionit deri në nëntor të vitit të kaluar. Norma e interesit bazë, është një mekanizëm që ndikon në kërkesën dhe ofertën e monedhës vendëse.
Inflacioni në % kundrejt Marsit 2006
Totali i artikujve
4.6
Ushqime dhe pije joalkoolike
7.7
Bukë dhe drithëra
31.6
Bulmetra e vezë
8.1
Vaj
18.9
Fruta
15.4
Pije alkoolike dhe duhan
3.7
Energjia elektrike
23.7
Transport
5.6
Kafe, restorante
5.3