E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokumenti, Berisha e dinte Gërdecin

Ushtria njoftoi kryeministrin për transportin e municioneve drejt Gërdecit. Ja korrespondenca që zbulon mashtrimin

Raportet për Gërdecin, në zyrën e Berishës

 

TIRANË- "Gërdecin e kam dëgjuar për herë të parë më 15 mars",-pati thënë kryeministri Sali Berisha, në një prej daljeve të tij të shpeshta publike, pas tragjedisë që u mori jetën 24 personave dhe plagosi 300 të tjerë. Por shkresat zyrtare, edhe këtë herë e nxjerrin zbuluar kryeministrin, në raport me vërtetësinë e deklaratave të tij për tragjedinë në Gërdec. Grupi hetimor pranë Prokurorisë së Përgjithshme ka sekuestruar ditët e fundit disa kopje të raporteve të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ku shkruhet e zezë mbi të bardhë se Kryeministri i Shqipërisë është njoftuar për gjendjen e sigurisë në vend, por edhe për transportimet ditore të armëve dhe municioneve drejt fabrikës së Gërdecit. Raporti i fundit për Gërdecin ka mbërritur në zyrën e Berishës më 13 mars, dy ditë para shpërthimeve në fabrikën e vdekjes.

***

Gazeta "Shekulli" ka mundur të sigurojë kopjet e këtyre raporteve ditore, ku Shtabi i Përgjithshëm, me anë të korrierit ushtarak ka dorëzuar pranë kryeministrisë raportin për veprimtarinë e Forcave të Armatosura. Sipas këtij raporti të klasifikuar, njoftohet zyra e kryeministrit për veprimtarinë e Forcave të Armatosura, ku një pjesë të rëndësishme zë edhe transporti i municionit nga depot e ushtrisë drejt Gërdecit. "Ky raport, bashkë me regjistrin e postës së letrave të klasifikuara është sekuestruar dhe ndodhet në fashikullin e dosjes hetimore. Në këtë raport evidentohet veprimtaria e Forcave të Armatosura, ku njoftohet edhe për lëvizjen e sasive të mëdha të municioneve në drejtim të fshatit Gërdec, ku ishte vendosur fabrika e çmontimit të këtyre municioneve",-thuhet nga burimet pranë organit qendror të akuzës. Në dokumentet e sekuestruara gjendet edhe raporti i fundit që i ka mbërritur kryeministrit për Gërdecin. "Në raportin e dërguar në kryeministri, në datën 13 shkurt 2008 dhe me numër protokolli 90 njoftohet kryeministri për lëvizjet e municioneve nga depot e ndryshme të ushtrisë drejt Gërdecit",-pohojnë burimet e mësipërme.

***

Sipas hetuesve të çështjes, kjo shkresë figuron e pranuar edhe në regjistrin e dorëzimeve të letrave të klasifikuara në Kryeministri, ku letra është pranuar nga oficeri roje me inicialet D.B. Gjithashtu, mësohet se në këtë raport, përveç njoftimit për lëvizjet e municioneve të mëdha drejt Gërdecit, Shtabi i Përgjithshëm ka njoftuar kryeministrin për gjendjen e sigurisë në vend në nivel kombëtar, gjendjen e sigurisë së kufijve, gjendjen e gatishmërisë së forcave të armatosura etj. Ndërkohë, mësohet se këto raporte ndodhen në fashikullin e dosjes hetimore, falë dorëzimit të kopjes së tyre nga vetë shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha. Të njëjtat burime konfirmuan për "Shekullin" se po të njëjtat raporte janë dorëzuar në kryeministri me datë 7 mars, 10 mars, 11 mars dhe shkresa e fundit që mban datën 13 mars, e cila njofton për lëvizjet e këtyre municioneve drejt Gërdecit. Sipas këtyre shkresave që tashmë ndodhen në fashikullin e hetimit kuptohetqartë se kryeministri i vendit, Sali Berisha, jo vetëm që kishte dijeni për fabrikën e demontimit në Gërdec, por madje njoftohej për të gjithë sasinë e municionit që merrej çdo ditë në 26 depot e armatimeve në vend dhe shkarkohej në "perandorinë" e Mihal Delijorgjit.

Ish-drejtori i MEICO-s ka pohuar në gjyq se nuk kishte përgjegjësi për kushtet e sigurisë. Mbetet në qeli

Pinari kundër Mediut:  MEICO s'ruan municionet

TIRANË- Gjykata e Apelit në kryeqytet vendosi të lërë në fuqi vendimin e dhënë nga togat e zeza të Shkallës së Parë, ku i pandehuri Ylli Pinari me detyrë ish-drejtor në kompaninë shtetërore të "MEICO", mbeti në qeli me masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve. Akuzë e vetme për tre të pandehurit e këtij procesi vazhdon të mbetet ajo e "shkeljes së rregullave të sigurisë mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive". Gjatë paradites së djeshme, me kërkesë të avokatëve mbrojtës, treshja gjykuese e Gjykatës së Apelit, e kryesuar nga gjyqtari Edmond Islamaj mori në shqyrtim ankimin e vendimit të Shkallës së Parë, që vetëm dy javë më parë i dha me kërkesë të prokurorisë masën e sigurisë "arrest me burg". Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, i pandehuri Pinari nuk u paraqit vetë në Gjykatë, duke u përfaqësuar nga mbrojtësit Ardian Leka dhe Artan Zeneli, të cilët pretenduan se masa e ndalimit dhe e sigurisë për klientin e tyre nuk është e ligjshme.

***

Sipas avokatëve, i pandehuri Pinari nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore dhe ndikim në zbardhjen e tragjedisë, ndaj dhe kërkuan një masë më të lehtë sigurie. Mbrojtja argumentoi se klienti i tyre ishte jashtë Shqipërisë, kur ndodhi ngjarja në Gërdec dhe se më pas ai u paraqit vetë në organin e akuzës, duke u kthyer nga Gjermania. Ndërkaq, sa i përket veprës penale për të cilën akuzohet Pinari, mbrojtja pretendoi se kompania "MEICO" ka në fokus të veprimtarisë së saj tregtinë e municioneve luftarake, pra blerjen dhe shitjen e mallit dhe jo sigurimin dhe ruajtjen e municioneve luftarake. Me këtë pretendim, Pinari ka pasur si qëllim të fajësojë drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes, që i kanë kaluar kompanisë që ai drejtonte përgjegjësinë e kontrollit të procesit të demontimit. Nisur nga këto pretendime, mbrojtja vlerësoi të padrejtë si masën e ndalimit, ashtu edhe masën e sigurisë ndaj Ylli Pinarit.

***

Megjithatë, kërkesa e avokatëve mbrojtës u kundërshtua nga përfaqësuesja e prokurorisë së Apelit, Thëllëza Alko, e cila e vlerësoi të ligjshëm ndalimin e të pandehurit Pinari. Gjithashtu ajo pretendoi semasa e ndalimit është marrë në kuadër edhe të sigurimit të provave për çështjen nën hetim. Togat e zeza, pasi dëgjuan pretendimet e palëve vendosën të lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg", dhënë pak ditë më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë. "Këtë vendim do ta çojmë në Gjykatën e Lartë, ku do të kërkojmë ndryshimin e masës së sigurisë nga ajo e "arrestit në burg" në një masë më të butë",-kanë pohuar avokatët e Pinarit. Sipas akuzës, Ylli Pinari, me detyrë deri pak javë më parë drejtor i kompanisë "MEICO", e cila është në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, u ndalua me akuzën e "shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive". Bashkë me Pinarin për këtë çështje, prokuroria arrestoi edhe administratorin e firmës "Albademil", Mihal Deliorgji dhe drejtorin teknik të saj, Dritan Minxolli, të cilët kishin fituar tenderin e çmontimit të municioneve luftarake.

VENDIMI

Qeveria shton 8 milinë  lekë për Gërdecin

Qeveria ka shtuar edhe me 8 milionë lekë, fondet e saj për tragjedinë e Gërdecit. Një shtesë e tillë mbetet e papërfillshme kur një pjesë e madhe e banorëve janë në protestë për një vlerësim të padrejtë të dëmeve. Qeveria ka vlerësuar me 25 mijë lekë të reja cdo metër katror të shtëpive të dëmtuara tërësisht, ndërsa Berisha ka deklaruar gjatë ditëve të fundit se për të gjithë ata banorë që nuk pranojnë këtë vlerësim shtëpitë do të ndërtohen ngastruktura shtetërore.

Më shumë se 1 mijë banorë të Gërdecit kundërshtojnë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i fabrikës së vdekjes, më 15 mars. Gjatë javës të fundit, pranë shtabit të emergjencës së ngritur në bashkinë e Vorës ka patur një fluks të madh banorësh, që kundërshtojnë komisionet e vlerësimit për dëmshpërblimin e banesave të tyre. Sipas banorëve, nëpër dokumente rezulton që pjesa më e madhe e materialeve të shkatërruara nuk janë përfshirë në listën e dëmshpërblimit. Ndërkohë që nuk mungojnë akuzat për korrupsion për komisionet e vlerësimit. E ndërsa banorët hedhin akuza, burimet zyrtare thonë se janë ngritur 5 grupe pune për të shqyrtuar të gjitha ankesat që kanë banorët për dëmet e pësuara nga tragjedia e ndodhur në Gërdec. Qeveria tashmë ka mbyllur të gjitha llogaritë për këtë tragjedi që sipas fondeve të miratuara për dëmshpërblim arrijnë në 20 milionë dollarë. Por kategori të tjera të të dëmtuarve nga kjo tragjedi ndihen të diskriminuar dhe të pavlerësuar nga qeveria. Në disa nga fshatrat e Durrësit që kanë qenë afër në largësi ajrore nga vendi i tragjedisë, ka patur dëme të shumta që ende nuk janë marrë parasysh nga ana e qeverisë.

Nga Gjegjani i Kukësit në depot e Voskopojës, tonelatat e municionit që shkaktuan tragjedinë

Raporti, 26 depot  që furnizuan Gërdecin

Pas shpërthimeve që u morën jetën 24 personave dhe plagosën qindra të tjerë, opinioni publik u përball me "ngritje supesh" nga zyrtarët e Ushtrisë Shqiptare, Shërbimeve Informative e deri tek ministrat apo kryeministri. Por procesi i furnizimit të fabrikës së Gërdecit nuk linte hapësirë për mungesë informacioni."Shekulli" ka publikuar pak ditë më parë raportin e transportit të municioneve nga depot e ushtrisë drejt fabrikës së Gërdecit, nga data 5 janar deri më 14 mars, një ditë para tragjedisë, raporte këto që kanë shkuar edhe në zyrën e kryeministrit Berisha.Sinanaj-Gërdec, Krujë-Gërdec, Vërtop-Gërdec... Itinerari i kamionëve të ushtrisë, në ditët e para të janarit ka qenë disi më i shkurtër.Javën e parë të janarit, kur administratori i fabrikës, Mihal Delijorgji sapo kishte marrë miratimin e dytë nga Ministria e Mbrojtjes për të vazhduar punën, në Gërdec janë shkarkuar deri në 100 ton municion në ditë, që vinin nga depot ushtarake në Fier, Berat dhe Krujë. Pas kësaj jave, harta e depove që morën urdhër të furnizonin me municion fabrikën e demontimit në Gërdec u zgjerua.Gjatë dy muajve të tjerë, drejt Gërdecit do të shkarkoheshin tonelata të tëra municioni, që vinin nga depot e ushtrisë së Kukësit, Matit, Shkodrës, Tiranës, Elbasanit, Korçës, Përmetit, Skraparit. Municioni u sigurua prej ndërmarrjes MEICO në më shumë se 26 depo, të shpërndara në fshatra të rretheve të ndryshme në vend. Ushtarakë të këtyre depove dhe eprorët e tyre u vunë në dispozicion të fabrikës së Mihal Delijorgjit dhe kamionët e ushtrisë bënin po me karburantin e ushtrisë qindra kilometra rrugë, për të çuar municionet në destinacion. Lëvizjet e qindra kamionëve me municion, ditën për diell, drejt fabrikës së Gërdecit e kanë kthyer këtë zonë tashmë të shkretuar, për disa muaj me radhë në epiqendrën e ushtrisë shqiptare. Urdhrat e furnizimit të kamionëve, njësoj si edhe raportet për transportimin e municioneve ishin të detyrueshme të kalonin në disa tavolina ushtarakësh të lartë, e parashikuar kjo me ligj. Megjithatë, Gërdecin, këtë fshat kaq pranë Tiranës askush nuk e njihte, deri para shpërthimit që i tronditi të gjithë....

DEPOT QË FURNIZUAN GËRDECIN

Sinanaj, në Fier

Depoja e Krujës

Vërtop, në Berat

Dhëmblan, në Tepelenë

Shmil, në Elbasan

Labinot, në Elbasan

Melgush, në Shkodër

Macukull, në Mat

Lozhan, në Korçë

Bigaz, në Skrapar

Depoja e Ndroqit

Gjegjan, në Kukës

Qafë-Shtamë, në Burrel

Qafë-Mollë, në Tiranë

Bratil, në Gramsh

Mirakë, në Elbasan

Mbrezhdan, në Përmet

Bushat, në Shkodër

Zall-Herr, në Tiranë

Depoja e Laçit

KMR e Korçës

Depoja e Voskopojës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›