Pagat, rritja në taksa 32 mln USD
Taksa e Sheshtë, tejkalohet me 78% plani i të ardhurave nga pagat për 3 muajt e parë të 2008-ës
Taksa e Sheshtë dhe referencat kanë rritur barrën mbi pagën me 109% krahasuar me 2007-ënTë dhënat e publikuara dje nga ana e Ministrisë së Financave, për 3 muajt e parë të vitit 2008 kanë rezultuar me një rekord të vërtetë në rritjen e taksave të mbledhura nga pagat. Punonjësit në të gjithë vendin kanë paguar për 3 muajt e parë të këtij viti edhe një herë më shumë taksa mbi pagën seç paguanin në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Vendosja e Taksës së Sheshtë në nivelin 10 për qind dhe caktimi i pagave minimale për efekt të tatimeve për çdo pozicion pune, ka rritur në mënyrë të ndjeshme të ardhurat në buxhet. Por rritja e ndjeshme e taksave mbi pagën, e cila jepet në të dhënat e bëra publike edhe nga ana e Ministrisë së Financave, është vlerësuar nga ana e biznesit në vend si ulje e konkurrueshmërisë. Vendosja e kësaj takse në mesin e vitit 2007 u lançua si një ulje në taksat e punës, pavarësisht se për pjesën e dërrmuese të kategorive të pagave, efekti ishte i drejtpërdrejtë. Me vendosjen e taksës së sheshtë në nivelin 10 për qind, të gjitha kategoritë e pagave deri në 1 milion lekë të vjetra paguajnë më shumë taksa se më parë. Madje për nivelin e pagave që vërtiten nga 301 mijë lekë deri në 500 mijë lekë rritja në taksa është deri 3 herë.
***
Referuar të dhënave të bëra publike nga Financat, për 3 muajt e parë të vitit 2008, tatimi mbi pagat ka rezultuar me një të ardhur në buxhet prej 60 milionë dollarë. Për të njëjtën periudhë të vitit 2007 janë mbledhur rreth 28. milionë dollarë. Rritja në të ardhura në harkun e një viti ka qenë me 32 milionë dollarë, ose me 108.7 për qind. Rritja e ndjeshme në taksat e paguara nga sektori privat erdhi pasi qeveria në pjesën e dytë të vitit 2007 vendosi që tatimi mbi pagat të jetë 10 për qind, ndërsa pagat për çdo pozicion pune në sektorin privat, të kenë një rritje të ndjeshme gati tre herë përsa i përket nivelit të tyre minimal për efekt të taksave.
***
Edhe vetë Ministria e Financave nuk ka qenë e përgatitur për një rritje të tillë në të ardhurat nga pagat për vitin 2008, pasi edhe realizimi gjatë 3 mujorit të parë është 72 për qind më i lartë se plani. Arritje të tilla duken frymëzuese, por tashmë qeveria duhet të pranojë se Taksa e Sheshtë në Shqipëri rriti ndjeshëm barrën që paguajnë punëtorët në buxhet nga e ardhura e tyre mujore. Kjo rritje në taksat e paguara në vitin 2008 nga pagat e punonjësve shkon në 120 milionë dollarë, po të kemi parasysh se janë edhe 9 muaj të tjerë deri në mbylljen e buxhetit.
+++
Bode pranon realizimin e dobët të investimeve publike gjatë 3 mujorit të parë 2008
Investimet, 2008 fillon me mosrealizime
Investimet publike kanë ndjekur ritmin e ulët të realizmit edhe gjatë pjesës së parë të vitit 2008. Gjatë 3 mujorit të parë të këtij viti, janë realizuar rreth 14 për qind e investimeve të programuara të realizuara në nivel vjetor. Sipas ministrit të Financave, Bode, gjatë kësaj periudhe ka një mosrealizim investimesh prej 120 milionë dollarë, krahasuar me planin. "Buxheti rezulton në fund të tremujorit me një suficit prej 10 miliardë lekësh, të cilat qeveria i ka investuar me afat të shkurtër qoftë në sistemin bankar, qoftë duke asistuar KESH-in me kredi të përkohshme. Këto fonde dhe të gjithë tejkalimet e mëtejshme, sikurse dhe deficiti i programuar do të jenë në dispozicion për të mbështetur përshpejtimin e investimeve publike në periudhat e ardhshme",- tha Bode. Pavarësisht mosrealizimeve në këtë periudhë, Bode ka bërë të ditur se, ka një rritje në këtë tregues krahasuar me vitin 2007. "Për sa i takon shpenzimeve, do të thosha që janë realizuar në masën 53 miliardë lekë, nga 64. 7 miliardë lekë të programuara. Pra, ka një pakësim prej rreth 18% në krahasim me programin, por janë rreth 8.9% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe ajo që është e rëndësishme është që niveli i shpenzimeve për investimet publike vijon të mbetet në parametra jo në përputhje me objektivat e mëdha që kemi këtë vit për investime, pasi dihet se vëllimi në total i investimeve për këtë vit është më i larti historik, shkon deri në 10% të PBB-së dhe kërkon që fondet e akorduara për investimet publike të mund të shpenzohen në mënyrë ritmike",- tha Bode. Por, realizimi i ulët në investime, sipas Bodes, është i lidhur me nivelin e lartë të tyre në vitin 2008. "Të gjithë e dinë që 3-mujori i parë ka një problematikë në realizimin e shpenzimeve, pasi avancon më ngadalë për shkak të procedurave të tenderimit dhe procedurave të tjera që lidhen me këto lloj projektesh. Në këtë vit, jemi në të njëjtin nivel me vitin e kaluar, ndërkohë që kemi një program më ambicioz për vitin 2008. Sidoqoftë, tejkalimi i të ardhurave në buxhet, gjithnjë e më shumë do të rrisë presionin për të vijuar investimet publike sipas programit. Sigurisht që MPPTT ka kapacitete për të financuar shumë më tepër, por ajo ka preferuar të jetë e matur me financimin, në një kohë që progresi real është shumë herë më i madh nga sa janë financuar",- tha Bode.
***
Të ardhurat nga Akciza për tremujorin e parë të vitit 2008 janë 6,5 miliardë lekë. Qeveria rriti akcizat për pijet alkoolike dhe për naftën dhe benzinën, në vitin 2007, duke zëvendësuar edhe humbjet që mund të vinin në buxhet nga ulja e Tatimit mbi Fitimin. Po të krahasojmë të ardhurat e tremujorit të parë të 2008, me tremujorin e parë të vitit 2005, shikojmë një rritje të të ardhurave nga akcizat prej 89.8% ose 3,1 miliardë lekë më shumë. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2006, kemi një rritje të të ardhurave nga akcizat prej 41.5% ose 1,9 miliardë lekë më shumë se në vitin 2008 dhe krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2007, kemi rritje të të ardhurave nga akcizat prej 22.2% ose 1,2 miliardë lekë më shumë. Qe nga viti 2005, të ardhurat e mbledhura nga akciza (tatime dhe dogana) janë rritur mesatarisht me 24 për qind në vit, ku rritja më e ndjeshme ka qenë tremujori i parë i 2006 krahasuar me tremujorin e parë të 2005, me rreth 34 për qind më shumë.