Shpërthen Kastrati

Bekim Kastrati të shtunën ka zbritur në fushën e blertë. Jo vetëm kaq. Sulmuesi kosovar ka shënuar dy gola, një asistim dhe ka nxjerrë një penalti për ekipin e tij të ri, Bonner, në fitoren e thellë me rezultat 5:1 kundër Wormatia Wormsit.
Pas një periudhe të vështirë që e kaloi te klubi nga Bundesliga 3, Dynamo Dresden, duket se ish-sulmuesi i Monchengladbachut dhe Fortuna Dusseldorfit më në fund ka filluar të shohë dritë.
“Jam me të vërtetë i lumtur. Un vetëm dëshiroja të luaja ende futboll”, ka thënë Kastrati për të përditshmen gjermane, Reviersport.
Bonner po lufton për të qëndruar edhe më tej në Regionalliga (Liga e katërt gjermane), ndërsa Kastrati është optimist se ekipi i tij i ri do ta arrijë këtë synim, mbi të gjitha pas fitores së thellë që ekipi i tij e arriti të shtunën ndaj Wormatia Wormsit.
“Neve nuk na mungon klasi, andaj do ta mbajmë këtë ritëm deri në fund”, shtoi ai.
Kastrati kishte kontratë me Dynamon deri në fund të këtij sezoni, derisa vetëm për të luajtur rregullisht, ai i ka sakrifikuar edhe paratë që merrte te klubi nga Dresdeni duke u ndarë para kohe.
“Natyrisht, më është dashur të heq dorë nga shumë para. Ky është një problem sekondar. Unë vetëm po mendoj të dal rregullisht në fushë”, theksoi Kastrati.
Paraqitjen e futbollistit me prejardhje nga Peja e ka duartrokitur edhe zëvendëstrajneri i Bonner, Joachim Hopp. “Kastrati është një sulmues klasi, absolutisht”, tha Hopp.
Përpos problemeve të vazhdueshme që kishte gjatë viteve të fundit me lëndime, në vjeshtë Kastrati pati problem edhe me trajnerin e Dynamo Dresdenit, Matthias Mauksch, i cili nuk ia dha mundësin qendërsulmuesit për t’i treguar vlerat në skuadrën e tij.
“Trajneri më ka maltretuar dhe ky ishte një horror i karrierës sime. Dynamo kishte një super stadium dhe super tifozë. Ky ishte motivi se pse pata shkuar te Dresdeni”, përfundoi Kastrati.
Ai në Bonner u transferua gjatë afatit kalimtar të janarit duke nënshkruar kontratë deri në qershor të vitit 2011.