E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nemanja Vidiç, pranë kalimit te Real Madrid

Merkato

Mbrojtësi i Mançester Junajtid, Nemanja Vidiç, është gjithnjë e më pranë bashkimit me ish-bashkëlojtarin Kristiano Ronaldo. Klubet janë shumë pranë marrëveshjes për një transferim të vlefshëm 20 milionë paund, e që do të përfundojë gjatë verës. Vidiç ishte më shumë në stol në këtë sezon se sa në fushë, dhe kjo për shkak të dëmtimeve. Disa burime brenda Junajtid thonë se marrëdhëniet mes mbrojtësit serb dhe Sër Aleks Fergusonit nuk janë aspak të mira. Spekulohet se Vidiç tashmë e ka vënë shtëpinë e tij në Angli në shitje, në mënyrë që të kalojë ose në Spanjë apo Itali, ku Milani është shprehur i gatshëm të ndërhyjë. Junajtid tashmë ka siguruar mbrojtës të ri për sezonin e ardhshëm, Kris Smalling, që do t’u bashkohet “djajve të kuq” në verën e ardhshme. Ferguson sheh për të ardhmen edhe David Luiz i Benfikës, mbrojtësi danez i Palermos, Simon Kjaer dhe tek i fuqishmi Bruno Alvesh i Portos.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›