E Shtunë, 31 Tetor 2026

Boksi në nokaut

Boksi kosovar tash e disa vite gjendet në “nokaut”, derisa vendi ynë dikur krenohej me boksierët e tij, të cilët bënë famë jo vetëm në ish-Jugosllavi, por edhe në mbarë botën.

Boksierët si Aziz Salihu, Mehmet Bogujevci, Xhevdet Pecin, Nazif Gashin e shumë të tjerë, përveç që ishin kampionë të shumëfishtë në ish Jugosllavi, ata rrëmbenin edhe medalje nëpër garat më të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë edhe lojërat olimpike.

Mirëpo, tani punët në boksin kosovar qëndrojnë krejtësisht ndryshe. Numri i boksierëve kualitativë në Kosovë, nga të cilët mund të pritet diçka në arenën ndërkombëtare, aktualisht është simbolik - sa për të mos thënë se nuk ka fare.

Këtë fakt e pranon edhe selektori i përfaqësueses së Kosovës në boks, Mehmet Haxhani. Sipas tij, në Kosovë aktualisht ka shumë pak boksierë me të cilët mund të krenohet vendi ynë.

“Kosova aktualisht ka shumë pak boksierë me të cilët mund të krenohet. Bujar Sejdiu dhe Milot Shabani janë boksierët më kualitativ që kemi. Ka shumë, shumë pak të tillë”, ka thënë Haxhani për Express.

Haxhani mendon se boksi kosovar ka ardhur në këtë gjendje si pasojë e krizës financiare me të cilën po ballafaqohet tash e disa vite klubet e boksit.

Ndërsa si pasojë e kësaj krize, në vitet e fundit shumë boksierë nga Kosova, që kanë mundur të arrijnë rezultate në arenën ndërkombëtare, janë larguar në drejtim të shteteve të huaja.

“Në këto pesë apo gjashtë vitet e fundit ne i bëmë disa boksierë kualitativë, por ata i humbëm, sepse klubet janë në krizë të madhe financiare. Boksierët i shfrytëzuan disa lidhje familjare, martesore, etj, dhe dolën nëpër shtetet e huaja. Disa nga ta merren ende me boks nëpër klubet e huaja, kurse shumë të tjerë punojnë në profesione të ndryshme”, theksoi Haxhani.

“Gazmend Dërvishaj, Liridon Krasniqi, Jeton Plakaj, Mahmut Gorda, Fidan Spahiu, Burim Xhafa, e shumë, e shumë të tjerë janë larguar nga Kosova në këto vitet e fundit, me të cilët shteti ynë ka mundur të krenohet”, shtoi ai.

Haxhani tha se përveç krizës financiare në të cilën gjendet boksi kosovar, edhe mosrregullimi i statusit të sportistit me ligj ka ndikuar me ikjen e këtyre boksierëve nga Kosova.

“Si pasoj e këtyre çështjeve kemi ardhur në këtë situatë, andaj edhe nuk i fajësoj boksierët që po e braktisin boksin tonë. Një ditë më pyeti një mik i imi se çka ju japim boksierëve kur ata boksojnë. Unë ju përgjigja: Gjysmë buke me dy pleskavica dhe një kos”, deklaroi ai.

Megjithatë Haxhai pohon se Kosovës nuk i mungojnë talentët. Sipas tij, nëse punohet si duhet me talentët e rinj, brenda një viti reprezentacioni kosovar mund të bëhet me boksierë shumë kualitativë.

“Nëpër turne të mëdha po garojmë me boksierë të rinj rreth 18-vjeçar, sepse nuk i kemi më ata që i kishim. Kemi shumë talentë, dhe nëse punohet siç duhet me ta me kushte më të mira, atëherë, brenda një viti mund t’i bëjmë disa boksierë shumë kualitativë, me të cilët Kosova do të mund të mburret”, përfundoi përzgjedhësi kosovar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›