E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen ferrokromi, plagosen rëndë tre punëtorë

 

Uzina e Burrelit ka shpërthyer mbrëmjen e djeshme duke djegur tre punëtorë. Dyshohet për një defekt të vjetër

Punëtorët Ahmet Saliaj, Simon Menga dhe Nikolin Picaku janë djegur nga llava e shpërthimit

BURREL- Tre punonjës të uzinës së ferrokromit në Burrel u plagosën rëndë nga një shpërthim i fuqishëm që ndodhi në orët e darkës së djeshme. Shpërthimi ndodhi në një prej furrave të shkrirjes dhe lidhet me defektin e kësaj furre, që nuk ishte riparuar prej kohësh. Eksplodimi ndodhi pak minuta më parë se të shkrinte kromi i futur aty. Në momentin e ngjarjes, në uzinë ndodheshin shumë punëtorë dhe për fat të mirë vetëm tre prej tyre janë plagosur.

***

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19.30 të ditës së djeshme. Vetë punëtorët e turnit të mbrëmjes kanë pohuar se kur ndodhi shpërthimi, aty kanë qenë duke punuar rreth 20 punonjës, metalurgë e të tjerë, ndërkohë që kanë marrë plagë të rënda nga llava e derdhur tre prej tyre me plagë në duar, gjoks dhe këmbë, ndërsa të tjerët kanë shpëtuar për mrekulli. Menjëherë punëtorët e plagosur rëndë janë marrë nga grupi i sigurisë dhe emergjencës për t'u dërguar në spitalin e qytetit dhe për t'u dhënë ndihmën e shpejtë mjekësore, nga ku mësohet se ata janë jashtë rrezikut për jetën. Dëshmitarët okularë të ngjarjes pohuan se të plagosurit janë Ahmet Saliaj, Simon Menga dhe Nikolin Picaku. Ende nuk jepen shpjegime të detajuara për gjendjen e tyre shëndetësore.

***

Shkaku i këtij shpërthimi është një defekt i vjetër i furrës, të cilin metalurgët ia kishin bërë të ditur edhe ministrit të ekonomisë Genc Ruli para pesë muajve kur firma nënkontraktore mori me koncesion këtë uzinë, për të rifilluar punën e ndërprerë prej kohësh. "Kërkesa e parë që i bëmë ministrit Ruli në dhjetorin e kaluar kur dhe do të fillonte punë uzina ka qenë pikërisht investimi që duhej bërë në këtë furrë për ta vënë në eficensë dhe me siguri të plotë në punë për metalurgët",- pohon një prej minatorëve që dje ishte në turn në momentin e shpërthimit. Njëri prej metalurgëve thotë se gjithë investimi i kësaj kompanie në këtë furrë ka qenë sjellja e shtatë varreve për të thyer kromin dhe vetëm kaq. "Ishte një shpërthim i paralajmëruar dhe ne e kishim jetën në risk sa herë punonim në shkrirjen e kromit tek furra, por ç'ti bëjmë, nuk kemi rrugë tjetër për të mbajtur familjet dhe fëmijët me bukë",- pohon një minator. Për mungesë kromi kjo furrë kishte ndërprerë punën prej pesë ditësh, pasi firma e përcaktuar në kontratë nuk e sillte kromin nga Bulqiza këtu por direkt e në port, ndërsa vetëm dje ka ardhur ngarkesa e parë për t'u shkrirë në furrë, dhe pikërisht pas një dite pune, ka ndodhur dhe shpërthimi që plagosi rëndë të tre punëtorët e atyshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›