Berat, dy të vetëvrarë brenda pak orësh
Një grua 32- vjeçe ka vrarë veten pas problemit të shlyerjes së kredisë. 32- vjeçari hidhet nga kati i katërt i pallatit
BERAT- Dy vetëvrasje kanë tronditur mëngjesin e djeshëm qytetin e Beratit. Një 35- vjeçar ka vrarë veten duke u hedhur nga kati i katërt i pallatit ku banonte pas një periudhe depresive ndërsa një 32- vjeçare është hedhur në lumë pas problemeve të krijuara nga divorci me të shoqin dhe një kredi që nuk mund ta paguante dot. Të vetëvrarët e djeshëm nuk kanë mundur që të përballojnë kushtet e jetesës së tyre dhe kanë vendosur që t'i japin fund jetës në mënyrën më makabre.
Ngjarja e parë ka ndodhur në mesnatë kur 32-vjeçarja Ermira Doko (Xhaferi) është hedhur nga Ura e Goricës në ujërat e lumit Osum. Gruaja ishte ndarë nga i shoqi 5 muaj më parë dhe menjëherë pas ndarjes kishte kaluar në depresion. Këtë fakt e kanë pohuar familjarët e viktimës,pranë organeve të policisë ku edhe kanë deklaruar se vajza e tyre Ermira nuk kishte marrëdhënie të mira as me familjen e saj pas ndarjes nga i shoqi. Ajo ka shkuar tek Ura e Goricës dhe pasi është pozicionuar në pikën e saj më të lartë, ka hequr të gjitha rrobat e trupit dhe më pas është hedhur nga një lartësi rreth 8 metër në lumë. Policia është njoftuar nga një shtetas që e ka parë duke u hedhur në lumë dhe ka gjetur në vendin e ngjarjes vetëm rrobat e gruas dhe një letër, në të cilën shkruhej se "e vetmja gjë që i kishte ngelur ishte vdekja, pasi jeta e saj nuk kishte më kuptim, pa familje dhe e kredhur në borxhe të shumta". Policia ka nisur kërkimet në lumë për të gjetur trupin e të mbyturës por pa rezultat. Së fundmi ajo kishte pasur shumë probleme në shlyerjen e një kredie të vjetër.
Ndërkohë ngjarja tjetër ka ndodhur rreth orët 07.00 të mëngjesit. Arjan Lulo, banor i lagjes "Muzakaj" pasi ka dalë nga shtëpia e tij, ka hipur në parvazin e hyrjes së katit të katërt dhe pa hezituar është hedhur poshtë duke përfunduar në oborrin e hyrjes së pallatit. Dëshmitarët e kësaj ngjarjeje tronditëse, vetë banorët e pallatit ku ai jetonte, kanë njoftuar menjëherë policinë. Pak minuta më vonë policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka kryer veprimet e para procedurale. Më pas ka përcjellë trupin e pajetë të 35-vjeçarit Arjan Lulo për në morgun e spitalit rajonal të qytetit, ku i është nënshtruar edhe autopsisë mjeko-ligjore. Familjarët e viktimës dhe fqinjët e pallatit kanë deklaruar se 35-vjeçari kishte kohë që shfaqte depresione të shumta nervore por ai nuk ka qenë njeri problematik në familje dhe në lagje. Familjarët kanë deklaruar se Arjani kishte tentuar edhe herë të tjera t'i jepte fund jetës,brenda në shtëpi por fatmirësisht ishte zbuluar nga të afërmit e tij që kanë shmangur tragjeditë.