Paradoksi, qeveria, mision për demontimin e municioneve në Bosnjë
Qeveria paraqet Aktin-Normativ për dërgimin e një trupe të specializuar ushtarakësh me mision demontimi në Bosnjë
TIRANË- Përpjekjet e Shqipërisë për t'u integruar në strukturat Euroatlantike, krahas angazhimit për të zbatuar marrëveshjet politiko-ushtarake, kanë prodhuar dhe paradoksin e radhës. E ndërsa një muaj më parë, si pasojë e papërgjegjshmërisë së shtetit dhe pakujdesisë të Forcave të Armatosura në demontimin e armëve, në Gërdec humbën jetën më shumë se 25 njerëz të pafajshëm, qeveria kohët e fundit ka paraqitur në Kuvend, Aktin-Normativ për dërgimin e një trupe të specializuar ushtarakësh me mision demontimi municionesh në Bosnje-Hercegovinë. Pikërisht, për shkak të këtij paradoksi ky akt-normativ është bërë objekt debati dje në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, ku përfaqësuesit e opozitës nuk kanë nguruar të akuzojnë qeverinë si përgjegjëse të tragjedisë së 15 Marsit. Ka qenë nënkryetari socialist i komisionit, Petro Koçi, ai që me qëndrimin e tij refuzues ndaj këtij akti, ka nisur debatin në komision. Megjithëse nuk ka kundërshtuar dërgimin e këtij misioni ushtarak në Bosnje, Koçi ka theksuar se, ky akt nxjerr në pah kompromentimin e shtetit në ngjarjen e Gërdecit. "Ky akt, tregon se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për të përballuar me profesionalizëm dhe teknologji të garantuar edhe procesin e demontimeve, apo dhe çështje të tjera që lidhen me municionet dhe armatimet. Unë, si nënkryetar i komisionit dhe përfaqësues i opozitës, nuk jam kundër kontributeve që mund të japë Shqipëria edhe në këtë fushë, por këtë akt unë si përfaqësues i opozitës nuk do ta votoj pro, por do ta abstenoj. Kjo pasi është kompromentim moral i rëndë që ka qeveria dhe Kuvendi, në raport me çështjen e Gërdecit. Ky akt, vërteton edhe një herë përgjegjësinë e shtetit në ngjarjen e Gërdecit. Vetë qeveria ka pranuar me këtë akt se ajo mban përgjegjësi të rënda në krimin e Gërdecit. Pra, ne po vërtetojmë me këtë akt se ne kemi ekspertë, kemi teknologji dhe kemi infrastrukturë, e cila mund të përballonte krejt ndryshe atë proces demontimi që u krye jashtë çdo standardi në Gërdec", - tha Koçi. Deklarata e Koçit ka hapur në komision debatin në lidhje me çështjen e Gërdecit, ku përfaqësuesit e mazhorancës janë përpjekur të justifikojnë pozicionin e qeverisë në raport me të. Sipas deputetit demokrat, Baki Shehu, ushtria shqiptare nuk mund të mbajë përgjegjësi për atë tragjedi, pasi demontimi i armatimeve në Gërdec kryhej në mënyrë private. "Pasja nga ana e Forcave të Armatosura të specialistëve në këtë fushë, nuk do ta lidhja me ngjarjen që ka ndodhur një muaj më parë. Dihet tashmë që ajo ka qenë një kompani private në një vend privat, dhe që nuk ka qenë repart ushtarak. Nuk është parashikuar që një vend i tillë, siç është Gërdeci, të ishte repart ushtarak, ai s'kishte as flamur, as njerëz ushtarakë", - u shpreh deputeti Shehu. Ndërkohë që deputeti tjetër demokrat, Fatos Hoxha, për të çliruar qeverinë shqiptare nga ndërmarrja e akteve normative për çështjet ushtarake, ka kërkuar shfuqizimin e nenit 12 të Kushtetutës.