Serial kille, dënohet me burgim të përjetshëm
Haki Miska, 52-vjeçari nga një fshat i Elbasanit, akuzohet për vrasjen e nënë, gruas dhe njerkut dhe plagosjen e vajzës së tij.
Serial killer nga Librazhdi. Haki Miska 52 vjeç me banim në Përvallë u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Elbasanit. Ndaj tij Prokuroria e Elbasanit kishte kërkuar të njëjtën masë dënimi. Kryeprokurori i Elbasanit, Elvin Gokaj, dhe prokurori Binas Nina ngritën akuzën e vrasjes me dashje në rrethana cilësuese të dy ose më shumë personave. Pas më shumë se një vit hetimesh dhe në fund edhe të ekspertimit neuropsikiatrik, u arrit në konkluzionin se Haki Miska i ka kryer vrasjet me vetëdije të plotë dhe më pas ka fshehur edhe provat e krimit. Edhe gjatë marrjes në pyetje Haki Miska ka pranuar 3 nga katër vrasjet për të cilat akuzohet dhe tentativën e vrasjes së vajzës së tij Besiana Miska. Para trupit gjykues ai shpesh ka deklaruar se “kam bërë disa vrasje dhe dua të vdes”. Në seancat e zhvilluara gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit Haki Miska ka treguar se ka ekzekutuar ish-bashkëshorten e tij Mimoza Miska, pasi, sipas tij, ajo e tradhtonte me një burrë nga fshati. Haki Miska ka dëshmuar se një vit më vonë ka masakruar ish-njerkun e tij Gani Brugu. Një vit më parë Haki Miska ekzekutoi me sëpatë nënën e tij Dije Brugu. Ai ka mohuar që të jetë autor i vrasjes së mësuesit të fshatit, Qamil Lluka. Trupi gjykues i kryesuar nga Taulant Tafa ka dhënë masën e dënimit me burgim të përjetshëm për Haki Miskën. Haki Miska akuzohet se ka vrarë ish-bashkëshorten Mimoza Miska, vrarë në prill të vitit 1994; njerkun Gani Brugu, vrarë në prill të vitit 1995; dhe nënën Dije Brugu vrarë më datë 4 shkurt 2010. Dyshohet për vrasjen e mësuesit Qamil Luka për xhelozi. Ka plagosur vajzën Besiana Miska.
F.S.