E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen pusi i naftës, dëmtohen 9 persona

Presioni i gazit ka dëmtuar gjithçka që gjendej në rrezen e 500 metrave. Fatmirësisht nuk u shoqërua edhe me flakë

FIER- Shpërthimi i një pusi nafte në zonën e Fierit për pak sa nuk është kthyer në një tragjedi të vërtetë. Nëntë persona janë dëmtuar nga shpërthimi dhe për fat të mirë asnjë prej tyre nuk ka humbur jetën. Ndërkohë, flakët e zjarrit kanë përshirë të gjithë zonën duke rrezikuar edhe rreth 200 shtëpi që ndodheshin në një rreze prej 500 metrash larg pusit të naftës. I gjithë fshati Zharëz është tmerruar nga gazi i shumtë që ka nxjerrë pusi i naftës. Fatmirësisht rrjedhja e gazit nuk është shoqëruar edhe nga flakët, pasi në një rast të tillë do të kishte ndodhur një katastrofë. Ndërkohë, një tjetër shpërthim është shënuar në orët e pasdites, por kësaj here në përmasa më të vogla se shpërthimi i mesditës. Si pasojë e këtij shpërthimi gazi vazhdon të përhapet në Zharëz, ndërsa po punohet për bllokimin e vatrës së shpërthimit e cila ndodhet pranë vatrës së parë.

Shpërthimi i parë i gazit ka ndodhur rreth mesditës së djeshme në pusin 2116 në sektorin 6- të, i cili ishte në gjendje pune. Ky pus kishte tre ditë që ishte hapur pasi mendohej se aty kishte disa shtresa nafte. Për këtë janë kryer punime nga specialistët dhe për ta siguruar presionin e naftës është vendosur një tub me rubinet. Por këtu, sipas punonjësve të këtij pusi, nuk është shtrënguar mire me bulona saraçineska dhe fllanzhat e saj. Pikërisht dje, si rezultat i presionit të madh të gazit të dalë prej këtij pusi, ai ka dalë në formë fontane me presion të madh duke shpërthyer në sipërfaqe. Zhurma ka qenë tepër e madhe dhe me shpejtësi është përhapur në një reze mbi 500 metra. “Në vendngjarje kanë mbërritur 4 grupe nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë, 2 autoambulanca si dhe zjarrfikëse të cilët kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të vatrës së shpërthimit nga ku dilte gazi”,- ka pohuar prefekti Deda

Banesa e familjes Dine ndodhet shumë pranë pusit dhe është goditur e para nga presioni i gazit helmues. Ndërkohë dhjetëra persona të tjerë kanë dalë me shpejtësi nga banesat e tyre duke u larguar me vrap së bashku me fëmijët për t’i shpëtuar asfiksimit si dhe ndonjë zjarri të mundshëm. Familja e Lefter Dines, e cila përbëhej prej pesë vetash është goditur e para nga asfiksimi i gazit. Ata kanë rënë për tokë aty ku ndodheshin në dhomën e tyre në gjendje të fikëti, ndërsa të tjerë persona janë gjetur rrugës në gjendje të rëndë shëndetësore nga të afërmit e tyre që kanë vrapuar për t’iu dhënë ndihme. Është njoftuar menjëherë policia dhe grupet zjarrfikëse, ndërkohë nuk është harruar të njoftoheshin edhe drejtuesit e Albpetrolit, të cilët kanë dërguar mjetet e specializuara në të tilla raste. Ambulancat e spitalit rajonal të Fierit kanë marrë nëntë të dëmtuarit e parë duke i shpënë me urgjencë në spital. Katër prej tyre janë shtruar në sallën e reanimacionit ndërsa të tjerët janë shtruar në sallën e intoksikimit në katin e tretë të repartit të patologjisë. Sipas mjekut Kilo Stoja, Lefter Dine, Hurma Dine, Yllka Dine, Zymbyle Dine, Fotjon Dine, Agim Dine dhe dy gra të tjera janë jashtë rrezikut për jetën dhe nën mbikëqyrje të plotë të tyre. Pas shpërthimit, situata në pusin 2116, mbeti ende alarmante. E gjithë zona ishte e rrethuar nga policia ndërsa punonjësit e naftës punonin me kujdes për të mbyllur pusin. Por frika ka bërë që të gjithë banorët të lënë shtëpitë e tyre. Mjete të specializuara po punonin për mbylljen e pusit dhe kanë mundur ta mbyllin atë rreth orës 14.30 minuta. E teksa specialistët punonin për të mbyllur pusin, disa zjarrfikëse ishin në gatishmëri ndërkohë edhe ambulancat e spitalit rajonal ndodheshin aty në rast se kishte ndonjë tjetër shpërthim.

------------------Të dëmtuarit

“Mendova se vdiqa por tani jam mirë”

Të shtruarit në spital nga asfiksimi i gazit tregojnë me tmerr momentin e shpërthimit të pusit dhe paniku që i ka kapur ata. Hurma Dine, një nga gratë që është goditur nga gazi, tregon se ka qenë në dhomë kur ka dëgjuar një zhurmë të fuqishme. Ajo ka nxjerrë kokën në dritarja por është goditur nga presioni i madh i gazit dhe ka rënë në tokë. Gruaja ka nxjerrë me shpejtësi fëmijët dhe vetë ka rënë pa ndjenja. Fatmirësisht i shoqi është gjendur aty pranë dhe e ka nxjerrë atë nga shtëpia dhe dërguar me ambulancë në spitalin e Fierit. Lefter Dine, një nga të shtruarit e radhës, tregon se kishte dalë nga shtëpia dhe po shkonte tek xhaxhai kur papritmas kishte dëgjuar zhurmën e madhe dhe një si re tymi. “Jam ulur në tokë dhe kur kam marrë frymë nuk jam ngopur dot. Thashë se vdiqa por jam shëndoshe e mirë falë ndihmës së mjekëve”,- pohon ai. Lidhur me këtë ngjarje është ngritur një grup pune nga policia si dhe me specialiste të kompanisë së Albpetrolit për të zbardhur shkaqet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›