Sarandë, 80 vatra zjarri në dy muajt e fundit
SARANDË- Zjarri i rënë dy net më parë në ish-ofiçinën e vjetër të Parkut e ka çuar në 80 numrin e vatrave të zjarrit të identifikuara dhe që kanë kërkuar ndihmën e repartit zjarrfikës të Sarandës. Shkak për zjarrin e fundit ka qenë shpërthimi i një bombole oksigjeni që ndodhej në këtë repart. Kjo ka shkaktuar panik pasi ofiçina dhe vendi i shpërthimit janë në brendësi të lagjes rrethuar nga banesat. Kështu edhe rreziku k a qenë i lartë. Frika e banorëve ka qenë tek mundësia e shpërthimit të bombolave të tjera të oksigjenit që mbante magazina e ofiçinës. Por ndërhyrja e zjarrfikësve ka bërë që flakët të mos përhapen në të gjithë zonën.
Komandanti i zjarrfikëseve të Sarandës, Rakip Muzhai, në analizën e dy muajve, korrik dhe gusht, për gjendjen dhe dëmet e shkaktuar nga zjarret në këto dy muaj thotë se kanë rënë deri tani rreth 80 zjarre. Sipas tij, dëmet më të mëdha kanë qenë në komunën e Mesopotamit dhe Bashkinë e Sarandës. “Demet e shkaktuara nga zjarret në këtë periudhë janë ullinj të djegur 1494 rrënjë, Pemë frutore 650 rrënjë, Shtëpi banimi 3 të djegura tërësisht, bagëti të djegura 5 copë , sipërfaqe kullote e djegur 237 ha, agrume të djegura 200 rrënjë, pisha të djegura 425 rrënjë”,- deklaroi dje kreu i zjarrfikësve. Sipas të dhënave të deritanishme, nuk ka asnjë autor të zjarrvënies të ndëshkuar ligjërisht. Vetëm në komunën e Dhivrit janë ndaluar dy persona si të dyshuar, të cilët janë liruar si të pafajshëm. Ndërkohë zjarrfikësit pohojnë se ditët e fundit edhe komunat e Dhivrit dhe Livadhjasë kanë pasur dëme nga djegia e sipërfaqeve të tëra nga zjarri, por që ende nuk janë llogaritur në të holla. Sipas përfaqësuesve zjarrfikës, ata janë ndihmuar shumë edhe nga avionët italianë dhe grekë, të cilët kanë shuar zjarret në kufi. Ndërkohë, përfaqësuesit e bashkisë pohojnë se këtë vit dëmet janë më të mëdha se të dhjetë viteve të fundit. Ato janë të konsiderueshme në lagjet periferike Gjashtë, Metoq, Shelegar e së fundi në Park e Dardhë, ku janë djegur shtëpi, bagëti e pasuri private.