Elbasan, Godo shkarkon krerët e shëndetësisë
ELBASAN- Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, ka mbërritur dje në Elbasan me urdhrat e ministres Godo, për shkarkimin nga detyra të drejtorit të Qendrës Spitalore, Luan Tabaku, dhe Drejtorit të Shëndetit Publik, Everest Hoxha. Po dje, ai ka prezantuar edhe emrat që do të zëvendësojnë të larguarit ku Arben Paralloj do të drejtojë qendrën Spitalore, dhe Fadil Brazhda Shëndetin Publik. Burime nga spitali i Elbasanit kanë bërë të ditur se momentet e këtyre largimeve nuk janë pritur aspak mirë nga ish- drejtuesit e spitalit, të cilët ishin vënë në këto detyra nga ish-Ministri Nard Ndoka. Madje ata ishin vënë në këto detyra nga Ndoka, edhe pse nuk janë pranuar asnjë herë nga PD-ja e Elbasanit.
Në krye të Qendrës Spitalore “Xhaferr Kongoli” në Elbasan, pas shumë debatesh në lidhje me emrin e ri duket se ministrja Anila Godo ka vendosur të caktojë Arben Parallojin. Ky i fundit, menjëherë pas marrjes së detyrës së re ka përcaktuar edhe objektivat dhe prioritetet që do të ketë, në krye të një institucioni që në fakt përballet me probleme të shumta. Ashtu siç ka deklaruar edhe vetë ministrja Godo, situata në Spitalin e Elbasanit, nuk është ndër më të mirat në vend, me probleme nga më të shumtat në shumë drejtime. Duke u nisur nga ky fakt, Paralloj ka deklaruar se spitali sot përballet me një mungesë kronike të ilaçeve si dhe me mungesë të aparaturave mjekësore të diagnostikimit. Por ky spital paraqet probleme tepër të mëdha edhe për sa i përket sistemit të akomodimit, ku në këto godina në mënyrë të veçantë në maternitet dhe kirurgji, nuk ofrohen aspak standardet që kërkon koha. “Përmirësimi i këtyre aspekteve të punës spitalore do të jenë edhe në qendër të punës së stafit të ri”,- ka deklaruar Paralloj, i cili ka theksuar se problemet e mungesës së medikamenteve pritet të marrin zgjidhje brenda pak ditësh. Për sa i përket aspektit të shërbimeve do të synohet edhe shtimi i specialiteteve pranë Qendrës Spitalore në Elbasan, ku disa prej tyre sot mungojnë dhe qytetarët janë të detyruar që shpeshherë të udhëtojnë drejt Tiranës, për të kryer ekzanimime të ndryshme.