Shpërthen zemërimi mes italianëve, përfundojnë në internet pagat
Italianët janë zemëruar pasi qeveria në largim ka publikuar të ardhurat e deklaruara të çdo qytetari dhe taksat e paguara prej tyre në internet. Në faqen e internetit të autoritetit të taksave kanë vërshuar klikimet e njerëzve kuriozë për të mësuar se sa fiton fqinji i tyre, personat e famshëm, politikanët apo sportistët. Gjithsesi, Ministria e Ekonomisë dha urdhër të pezullohej kjo faqe interneti pas një ankese zyrtare të agjencisë italiane për privatësisë. Pavarësisht nga kjo, të dhënat qëndruan të ekspozuara për afro 24 orë. Publikimi i pagave ishte një nga veprimet e fundit të qeverisë në largim të qendrës së majtë dhe ka shokuar shumë italianë. Por, ky akt ishte edhe shumë popullor pasi brenda disa orësh faqja e internetit u bë e shumëkërkuar, deri sa u vështirësua në maksimum edhe aksesi në të. Ministria e Financave e përshkroi lëvizjen si një përpjekje për të përmirësuar transparencën. Zëvendësministri i Ekonomisë, Vinçenco Visko, tha se ai nuk mund ta kuptonte përse bëhej gjithë kjo zhurmë. "Nuk mund ta kuptoj se çfarë problemi ka", u citua ai nga mediat italiane. "Është diçka që ekziston në të gjithë botën. Mjafton të shohësh një film amerikan dhe e kupton këtë. Ne e kishim sistemin të gatshëm që në janar, po e vonuam publikimin në mënyrë që të evitonim argumentet gjatë fushatës zgjedhore". Por, kritikët e dënojnë këtë veprim dhe e konsiderojnë si një shkelje të privatësisë. Koha kur ndërmerret një iniciativë e tillë vjen vetëm pak ditë para se administrata aktuale t‘ia lërë vendin asaj të Silvio Berluskonit, që sipas korrespondentëve ishte i acaruar gjithashtu. Qeveria në largim kishte ardhur në pushtet pikërisht duke premtuar se do të luftonte evazionin fiskal, për çka shquhen italianët. Sipas qeverisë italiane, taksat e papaguara në vend janë ekuivalente me 7 për qind të GDP-së.