Shpërthen zjarri, digjen 6 shtëpi në mes të Burrelit
Burrel- Një zjarr i fuqishëm i rënë krejt papritur ka përpirë 6 shtëpi banimi në lagjen “Partizani” të qytetit të Burrelit duke lënë dhjetëra të pastrehë dhe rrezikuar jetët e shumë personave që banonin aty, kryesisht fëmijë.
Sipas banorëve zjarri ka përfshirë 6 shtëpi banimi, ngjitur me Kopshtin nr. 3 të këtij qyteti dhe kjo afërsi është bërë shkak për alarmimin e ffëmijëve dhe edukatorëve të kopshtit. Në të, mësojnë më shumë 100 fëmijë të moshave të vogla, ndaj fillimisht policia ka mundur të evakuojë të gjithë fëmijët dhe personelin e kopshtit.
Edhe pse është lajmëruar për rënien e zjarrit sapo është krijuar vatra e parë, bëhet e ditur se shërbimi emergjent i zjarrfikësve ka shkuar aty kur zjarri ishte përhapur gjithandej në të 6 shtëpitë e banimit. Kështu brenda një gjysëm ore gjithcka aty është shkrumbuar, me banesa, orendi dhe gjithcka kishin. Kjo ka bërë që të mbesin 50 banorë të pastrehë, duke e shtuar më tej listën e të pastrehëve të këtij qyteti.
Kjo ngjarje e rëndë po hetohet nga policia, por deri tani nuk ka një pistë të saktë nga se është shkaktuar ai, gjithashtu ende nuk është e bërë e ditur shkalla e dëmit të shkaktuar nga zjarri i rënë.
Por qytetarët, banorë të këtyre shtëpive, hedhin dyshime se zjarri i rënë ka qenë i vënë qëllimisht, dhe kjo sipas tyre mund të ketë të bëjë me truallin që aty diskutohet prej kohësh. Kjo ka bërë që policia të hetojë dhe rreth kësaj piste, ndërkaq specialistët e bashkisë po “inventarizojnë” dëmet e shkaktuara si dhe krijimin e mundësive të strehimit të këtyre banorëve në kushte provizore.