Takim sekret Berisha-Uidhers
Uidhersi pritet të takojë sot edhe Kryetaren e Kuvendit, me qëllim rishikimin e draftit
TIRANË- Të gjithë janë në një zë. Projektligji “Për Pastërtinë e Figurës” duhet të ndryshojë, me qëllim që dosjet e regjimit të kaluar të hapen pa shkelur Kushtetutën dhe ligjet e vendit. E vetmja pengesë dhe kryesore në këtë procesështë pikërisht Kryeministri Sali Berisha, i cili prej tre ditësh ka evituar në çdo dalje publike, të flasë pikërisht për thirrjet e ndërkombëtarëve dhe kërkesat e vazhdueshme të opozitës. Nën një situatë të tillë politike, Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon L. Uithers II, ka zhvilluar dje një takim me Kryeministrin Sali Berisha. Një takim krejt i fshehtë dhe pa praninë e kamerave, madje i papublikuar as në faqen zyrtare të Kryeministrisë. Burime nga qeveria pohuan dje për gazetën pikërisht takimin e zhvilluar, por nuk konfirmuan asgjë mbi objektin e bisedës. Megjithatë, nisur nga situata politike në vend, objekt i bisedës mund të kenë qenë pikërisht vërejtjet e Ambasadës Amerikane mbi përmbajtjen e draftit të dosjeve. Rishikimi i përmbajtjes së draftit aktual për pastërtinë e figurës, me qëllim moscenimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, do të jetë në qendër të takimit të sotëm që Ambasadori amerikan, Xhon L. Uithers II, do të zhvillojë edhe me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kjo e fundit pritet të zhvillojë sot një takim në mesditë për draftin aq shumë të kontestuar nga të gjitha palët, përveç PD-së. Pak ditë më parë, menjëherë pas shtyrjes së draftit të dosjeve për ditën e hënë, ishte Ambasada e SHBA-së ajo që reagoi e para, duke theksuar përmes një njoftimi për shtyp se, projektligji për pastërtinë e figurës ngre shqetësime serioze kushtetuese dhe ligjore. “Ne jemi të inkurajuar që ky hap i rëndësishëm do të japë kohë për reflektim të matur dhe debat të hapur publik, të nevojshme për një projektligj që ngre shqetësime serioze kushtetuese dhe ligjore.Gjithashtu, nxisim fuqimisht që shqyrtimi i mëtejshëm i këtij projektligji të përfshijë pikëpamjet e ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë, për të siguruar përputhjen e tij të plotë me standardet ndërkombëtare”, - thuhej në deklaratën për shtyp të SHBA-së. Por, që prej asaj dite, nuk ka pasur asnjë ndryshim qëndrimi nga ana e PD-së, përveçse rishikimin e draftit me disa amendamente, po të vetat, që në thelb nuk përmirësonin asnjë nga vërejtjet e kërkuara zyrtarisht nga opozita dhe ndërkombëtarët. Kryetari i Grupit Parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, u shpreh po në të njëjtën ditë me kritikat e Ambasadës Amerikane, se kjo forcë politike kishte konsumuar të gjitha format e konsensusit me partinë më të madhe të opozitës dhe se drafti do të kalonte ditën e hënë, ashtu siç ishte edhe parashikuar seancën e fundit plenare.
-----------------------------------------------------------------------Komisioni i Venecias harton raportin për Shqipërinë
Komisioni i Venecias: Ndryshimet Kushtetuese, sipas standardeve
TIRANË- Komisioni i Venecias ka vlerësuar si pozitive paketën e ndryshimeve Kushtetuese, të datës 21 Prill. I mbledhur më datat 12 dhe 13 dhjetor, Komisioni ka shqyrtuar të gjitha ndryshimet e bëra së fundmi si dhe ka dëgjuar shpjegimet e anëtarëve të Komisionit të Ligjeve. Në fund, Komisioni ka përpiluar edhe një raport në lidhje me çështjen e Shqipërisë. Sipas Komisionit, ndryshimet kushtetuese të bëra në prill të këtij viti janë në përputhje me standardet evropiane. “Amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës në lidhje me Kodin Zgjedhor janë të mirëpritura”, thuhet në raportin e Komisionit të Venecias. Komisioni thekson se e rëndësishme është që të sigurohet që zgjedhjet të mbahen të lira nën mbikëqyrjen e një trupi të paanshëm. “Sistemi i ri elektoral i bazuar tek proporcionali rajonal ndjek shembullin e vendeve të tjera Europiane. Ky duket një model i mirë, i cili siguron balancën ndërmjet votuesve dhe të zgjedhurve por edhe mënyrës së përfaqësimit”,- thuhet në përfundimet e Komisionit të Venecias. Ai ka vlerësuar ndarjen e re elektorale dhe mënyrën e zgjedhjes së deputetëve. Paketa e ndryshimeve Kushtetuese u miratua në datën 21 Prill në Kuvend me konsensusin e një pjesë të gjere të forcave politike. Paketa u votua nga një numër i konsiderueshëm deputetësh, (115), duke shënuar një nga arritjet e politikës shqiptare sa i përket ndryshimit të Ligjit themeltar të shtetit. Kjo paketë përfshinte sistemin e ri elektoral, mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës etj.