E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthim në hotelin me nxënës, 6 të plagosur

GOLEM/ Rreth orës 7:40 të mëngjesit, shpërthimi i një bolieri ka çarë muret e brendshme e të jashtme të katit të tretë të ndërtesës


Shkurte Matoshi dhe Sabah Fetahu janë dëmtuar më rëndë, por tashmë ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën


DURRËS - Gjashtë nxënës kosovarë kanë mbetur të plagosur në një shpërthim të ndodhur në një hotel në plazhin e Golemit mëngjesin e së mërkurës. Rreth 20 metra janë shpërndarë tullat dhe lënda lidhëse e tyre në oborrin e ndërtesës.


Mendohet se gjithçka ka qenë pasojë e shpërthimit të një bolieri në katin e tretë të godinës, megjithatë fakti që shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm, ka bërë që të lihet vend për dyshime. 52 nxënësit e shkollës së mesme mjekësore të Gjilanit kishin mbërritur që të dielën dhe largimi i tyre pritej të premten.


Të shokuar, shumë prej tyre nuk kanë pranuar që të flasin për ngjarjen, teksa kanë shoqëruar për në spital të dëmtuarit. Në gjendje më të rëndë kanë mbërritur Shkurte Matoshi, e dëmtuar në këmbë, dhe Sabah Fetahu, i cili kishte marrë goditje në kokë dhe qe dëmtuar në pjesën e dhëmbëve dhe në buzë. Mes të dëmtuarve ishte edhe pronari i hotelit, Kujtim Roçi.


Dyshimet


Dyshimet e para janë se bëhet fjalë për shpërthimin e një bolieri në katin e tretë të ndërtesës, por ky version i dhënë nga policia është marrë me rezerva, për shkak të forcës së tij. Mbërritja e ekspertëve të antiterrorit në vendngjarje fliste për një seriozitet në punën e policisë për të zbardhur pistat e mundshme të aksidentit të ndodhur.


Varianti me bolierin mbeti pak artificial, pasi duke iu referuar forcës së shpërthimit, specialistët e lëndëve plasese thonë se është tepër e vështirë që ajo të ketë fuqi të tillë saqë të rrëzojë faqet e mureve të dhomave, si dhe të sipërfaqes së jashtme të murit.


Shpërthimi


Në kohën që ka ndodhur shpërthimi në hotel ishin gjithsej 52 nxënës, maturantë të shkollës së mesme mjekësore në Gjilan të Kosovës. Sipas drejtorit të shkollës, Rrahim Azemi, nxënësit kishin 4 ditë që ishin në këtë hotel. Ai thotë për "Shekulli"-n se ishin orët e para të mëngjesit kur u dëgjua shpërthimi dhe tronditja ka qenë tepër e madhe, pasi gjendja e të lënduarve që u panë fillimisht ka qenë tronditese.


Ai bën me dije se e lënduar më rëndë është nxënësja 18-vjeçare Shkurte Metoshi, me frakturë në këmbë. Ndërkohë që 5 të tjerët janë me lëndime më të lehta. "Vajza ka frakturë thyerjeje dhe gërvishtje në këmbë.


Ka hyrë në sallën e operacionit dhe me të po merret tani ortopedi. Nuk ka rrezik për jetën",- thanë mjekët e spitalit. Ndërsa 19-vjeçari Sabah Fetahu që gjendej në reanimacion kishte humbur për momentin kujtesën dhe mund të thoshte vetëm emrin e vet.


"Dëgjuam zhurmë dhe britma dhe dolëm të shihnim. Faqet e brendshme të mureve mes dhomave ishin rrëzuar e po ashtu edhe muri i jashtëm",- tha njëri prej mësuesve. Sipas Rrahimit, shpërthimi kishte ardhur nga një bolier dhe pasojat tashmë kishin kaluar.


Heshtja


Fillimisht askush nuk donte që të fliste rreth incidentit. Të gjithë nxënësit qenë të mbledhur në mjediset e një aneksi të hapur të hotelit me pamje nga deti dhe çdo ofertë për t'i intervistuar ka pasur vetëm përgjigje negative.


Madje, njëri prej tyre mori një tullë për të kërcënuar kameramanin e njërit prej televizioneve, me pretendimin se ngjarja nuk duhej marrë vesh në Kosovë, sepse prindërit e tyre do të trembeshin. Tension pati dhe pranë hotelit nga ana e policisë, tek e cila u vu re njëfarë nervozizmi për të hequr qafe gazetarët dhe operatorët.

Vërtet u dha si variant një bolier i plasur nga një avari e rastit, por bolieri nuk u bë prezent për mediat. Askush nuk u lejua që të afrohej për ta fotografuar. Ndërkohë u deklarua se u shoqëruan në komisariatin e Kavajës pronari i hotelit, Kujtim Roci, si dhe pesë pjesëtarë të stafit të hotelit. Ata do të merren në pyetje lidhur me shpërthimin e ndodhur në orën 7:40 në plazhin e Golemit.


Policia

Policia është drejtuar për në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimin mbi shkaqet e shembjes së ndërtimit. Në një deklaratë për shtyp u njoftua: "Sot (dje) në hotelin "Elesio", në vendin e quajtur Pishat e Buta në Golem Kavajë, rreth orës 07:40 është dëgjuar një shpërthim, ku për pasojë janë shembur muret e brendshme të katit të dytë të këtij hoteli, në të cilat po flinin nxënës të ardhur nga Kosova për ekskursion në Shqipëri".


Sipas policisë, në këtë hotel po flinin rreth 50 nxënës, ku janë dëmtuar lehtësisht vetëm dy prej tyre dhe janë shtruar menjëherë në Spitalin e Durrësit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën nxënësit Shkurte Matoshi dhe Sabah Fetahu, respektivisht të moshave 18 dhe 19 vjeç.


Policia ka konfirmuar se "në vend ka mbërritur grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit Kavajë, ekspertë të kriminalistikës nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ekspertë antieksploziv të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit".


Në urgjencën e spitalit


Shkurte Matoshi dhe Sabah Fetahu janë dërguar në spitalin e Durrësit nga profesorët Jaup Rexhepi dhe Edison Sabedini. Fetahu tha se fillimisht kishin dëgjuar një zhurmë të madhe dhe pas qetësimit të zhurmës është vënë re se ishin çelur muret dhe se ishte hapur tarraca.


Në sallën e urgjencës të plagosurit i ka pritur mjeku Arjan Tivari i cili u shpreh se miqve të plagosur u është dhënë menjëherë ndihma mjekësore dhe të rinjtë ishin jashtë rrezikut për jetën. Vajza nga Kosova kishte pësuar një frakturë të rëndë në gjymtyrë (qe dëmtuar rëndë vetëm në njërën këmbë) dhe ishte e mbytur në gjak.


"Ajo erdhi këtu në gjendje të rëndë. Në pak sekonda u informuam për çka ndodhi dhe i tërë reparti i urgjencës u mobilizua në maksimum për të përballuar situatën",- tha mjeku i shërbimit Arjan Tivari.


Pak minuta më pas një autoambulancë e dytë solli në Durrës adoleshentin tjetër kosovar Sabah Fetahu. Edhe ai është nxjerrë i gjallë nga rrënojat e mureve, por kishte humbur ndjenjat. Ai u trajtua me serume qetësuese dhe kuruese kundër mpiksjes së gjakut.


Teksa dy pacientët në gjendje të rëndë po trajtoheshin intensivisht kundër traumave, në urgjencë prisnin me ankth mësuesi kujdestar Edison Sabedini, mjekja e grupit të nxënësve Venera Osmani, si dhe shoferi i autobusit që kishte sjellë ekskursionistët nga Gjilani në Durrës.


Dëshmia e mësuesve


Edison Shabedini është mësuesi kujdestar që jep lëndën e biologjisë në shkollën e mesme mjekësore të Gjilanit. Ai rrëfen se kur ndodhi shpërthimi gjendej në katin e tretë. "Isha në të njëjtin kat ku u lokalizua shembja e ballkonit dhe e mureve, por dhoma jonë, - thotë, - ai nuk pësoi shembje, pasi gjendej në anën e kundërt të hotelit.


- Ai kujton se të gjithë ishin në gjumë të thellë. - Kishim kaluar një mbrëmje të hareshme, pasi në Shqipëri kishim ardhur për një ekskursion 5-ditor, ku po kalonim vërtet mirë, derisa erdhi ai çast rreziku.


Fillimisht dëgjuam një zhurmë të fortë dhe më pas ndjemë që betoni i ballkonit, muret, xhamat, tullat, llaçi e deri tek valixhet e udhëtimit të fluturonin sa andej-këndej. Pamja ishte rrëqethëse, por e mora veten shpejt. Së bashku me shoferin e autobusit dërguam në urgjencën e spitalit të Durrësit Shkurten, e cila kishte humbur ndjenjat dhe ishte gjakosur.


Teksa transportonim të plagosurën u thashë kolegëve të mi të kontrollojnë në çdo dhomë të hotelit për të lënduarit e tjerë. Ndodhesha në spital kur aty mbërriti me urgjencë edhe nxënësi tjetër, Sabah Fetahu. Edhe ai kishte humbur ndjenjat dhe më pas nuk mbante mend asgjë. Ishte i traumatizuar, pasi pjesë nga tavani e kishin goditur në fytyrë".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›