Mitmarrja, arrestohen tre policë rrugorë në Tepelenë
Tre efektivë të patrullave në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë janë vënë në pranga për marrje ryshfeti. Policia e Gjirokastrës pas një hetimi të kryer nga SHKB-ja vuri në pranga tre punonjës policie të qarkullimit rrugor në Tepelenë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim me akuzën e korrupsionit. Në prangat e agjentëve ranë policët Erion Zylfaj, Fatos Hysi dhe Adrian Muhameti, ndërsa kolegu i tyre, Mustafa Shehu, nuk është gjetur në banesë. Hetimi ndaj tyre kishte nisur pas denoncimit të kryer nga disa qytetarë, se merrnin ryshfete. Tre të arrestuarit u shoqëruan në qelitë e paraburgimit, ku janë marrë në pyetje.
Hetimi
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër prej disa muajsh kishte nisur hetimet në lidhje me aktivitetin e katër punonjësve të Policisë Rrugore në Komisariatin e Tepelenës. Me anë të metodave speciale, fotografive dhe filmimeve në terren, ata arritën të dokumentonin shkeljet e katër të akuzuarve. Pas grumbullimit të provave ligjore, SHKB-ja ka regjistruar procedimin penal në gjykatë në ngarkim të tyre. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër në datën 07.10.2009, në bazë të provave ligjore të grumbulluara, vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për të akuzuarit. Me vendim të gjykatës së rrethit, policia e Gjirokastrës bëri ndalimin e Erion Zylfajt, Fatos Hysit dhe Adrian Muhametit. Ata u shoqëruan në dhomat e paraburgimit. Ndalimi i tyre u bë rreth orës 14:30 të ditës së djeshme. Ndërkohë që në momentin e ekzekutimit të këtij urdhri, punonjësi i policisë, Mustafa Shehu, nuk është gjetur në banesë. Ai është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij. Nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër është bërë menjëherë pezullimi i tyre dhe ka filluar procedimi disiplinor për përjashtim nga radhët e Policisë së Shtetit. Të ndaluarit u shoqëruan në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës së rrethit për të vazhduar procesin gjyqësor. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “korrupsionit pasiv” në bashkëpunim.