E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjarët e 21 viktimave në Gërdec“Rihetoni Mediun për 4 shkelje”

09/10/2009  Kallëzimi depozitohet në Prokurori. Akuza skeptike për rihapjen e çështjes

TIRANE- Familjarët e 21 viktimave të Gërdecit kanë depozituar në sekretarinë e Prokurorisë së Përgjithshme, një kallëzim penal, ku i kërkojnë Kryeprokurores Ina Rama, rifillimin e hetimeve ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe bashkëpunëtorëve të tij. E veshur me të zeza, ashtu si 5 gratë e tjera që e shoqëronin, Zamira Durdaj, nëna e 6-vjeçarit Edison Durdaj, ka ngjitur rreth orës 08:30 shkallët e organit të akuzës, në të cilin ka dorëzuar kallëzimin penal të firmosur nga 63 familjarët e viktimave që humbën jetën nga shpërthimi i fuqishëm i 15 marsit në fabrikën e demontimit të municioneve luftarake. Sipas familjarëve, ish -Ministri i Mbrojtjes, deputeti Fatmir Mediu, minimalisht ka konsumuar figurën e veprës penale, të parashikuar nga neni 248, i K. Penal, pasi me veprimet apo mosveprimet e tij të kundërligjshme, të kryera me dashje ka dëmtuar rëndë interesat tona, pasi ka shkaktuar vdekjen e trashëgimlënësve tanë. Katër veprimet e paligjshme të Mediu janë: përcaktimi i gabuar i vendit për të demontuar municione, urdhri për demontimin e municioneve të kalibrit të madh (Predha), mosveprimi, për kontrollimin e strukturave të ushtrisë, si dhe rizgjedhja e kompanisë Alba-Demil. Gjithashtu në kallëzim i bëhet me dije Prokurorisë së Përgjithshme se kjo e fundit duhet të respektojë nenin 292 të Kodit të Procedurës Penale, i cili detyron akuzën të rifillojë veprimet hetimore për çështjen “Mediu”. Ndërkohë të pyetur nëse do të fillojnë hetimet për këtë çështje apo jo, prokurorët janë shprehur tepër skeptikë, duke thënë se për faktet dhe provat që kishin ndaj Fatmir Mediut, Gjykata e Lartë nuk zhvilloi asnjë seancë gjyqësore. Të nisur nga ky dështim ata shprehen se me argumentet që shtrojnë familjarët, është shumë e vështirë për t’ia provuar akuzën ministrit të Mjedisit Fatmir Mediu.

Mungesa e avokates Kraja

Ajo që u vu re dje ishte mungesa e avokates së familjarëve të viktimave të Gërdecit Blerta Kraja. Nuk dihen arsyet pse Kraja nuk ndodhej dje përkrah familjarëve, por në një lidhje telefonike, avokatia tha se ishte e angazhuar me një çështje të rëndësishme. Madje ajo nuk ka dhënë asnjë koment lidhur me kallëzimin e bërë nga familjarët e 21 viktimave, por ka mbyllur telefonin duke pohuar se në atë moment ishte tepër e zënë. Në të gjitha seancat gjyqësore familjarët e viktimave janë mbështetur nga avokatja Kraja, e cila dje s’ ndodhej mes radhëve të tyre.

Shkelja I

Përzgjedhja e fshatit Gërdec për të kryer demontimin, në një kohë që ai pozicion ishte i papërshtatshëm dhe binte në kundërshtim me rregullat e përcaktuara në urdhrin nr.326, datë 11. 5. 2000, të ministrit të Mbrojtjes “Për kryerjen e licencimit të depove të municionit sipas standardeve të NATO-s”.

Shkelja II

Urdhri i tij nr. 2044, datë 7. 12. 2007 “Për kalim municioni ndërmarrjes MEICO”, bie në kundërshtim flagrant me pikën 1, të kreut IV, të VKM nr. 138, datë 14. 3. 2007, pasi ai në kundërshtim me sa sipër urdhëron demontimin e municioneve me kalibër të madh.

Shkelja III

Ministri, në zbatim direkt të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës, ku thuhet se: “Ministri brenda drejtimeve kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore, drejton nën përgjegjësinë e tij veprimtarinë që ka në kompetencë” që në këtë rast ishin të gjitha strukturat e ushtrisë.

Shkelja IV

Drejtimi nga ana e këtij personi e një procesi përgatitjeje të një tërësie aktesh nënligjore, për ta çuar në mashtrim edhe Këshillin e Ministrave për të miratuar VKM nr. 138, datë 14. 3. 2007, në mënyrë që përsëri kontrata të lidhej me shoqërinë e paracaktuar nga ai.

Nëna e 6-vjeçarit

Durdaj: Kërkon ndihmën

e Ramës, Topallit dhe Beçaj

“Kërkojmë të rihapet çështja. Asnjë dispozitë ligjore nuk përbën pengesë për Prokurorinë për t’i rikërkuar Parlamentit heqjen e imunitetit ndaj Mediut. Ne i bëjnë thirrje kryetares se Parlamentit Jozefina Topalli, Kryeprokurores Ina Rama dhe kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, që të bëjnë çdo përpjekje që çështja të mos pengohet e të vihet në vend dinjiteti. Procesi ndaj Famtir Mediut u pushua nga Gjykata e Lartë, ndërsa për 28 të pandehurit e tjerë vazhdon gjykimi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Katër janë të arrestuarit, ndërsa të tjerët ndiqen në gjendje të lirë. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore MEICO, Ylli Pinari, administratori i kompanisë “Alba Demil”, Mihal Delijorgji dhe ish-drejtorin teknik të fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli, si dhe ish-punonjësi i MEICO-s, Sokol Gjeci, janë në gjendje arresti.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›