E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthim në nënstacionin elektrik, tre të plagosur

ELBASAN/ Dy punonjëse që ndodheshin në kabinën e komandimit janë në spital në gjendje të rëndë


Një mi dyshohet të ketë qenë shkak për shpërthimin e ndodhur, pasi ka krijuar një qark të shkurtër


ELBASAN- Shpërthimi në kabinën e komandimit të nënstacionit 110/10 në Metalurgji ka rrezikuar jetën e dy punonjëseve, si dhe ka dëmtuar lehtë një inxhinier.


Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 12:30 të së hënës kur Roza Bezhani, 46 vjeçe, bashkë me 45-vjeçaren Alma Seiti ishin në turnin e punës në sallën e komandimit të Rajonit nr.2, në nënstacionin 110/10. Teksa Bezhani ka ndërruar automatin, është krijuar një qark i shkurtër dhe për pasojë ka ndodhur një shpërthim.


Fillimisht është dëmtuar 46-vjeçarja e më pas kolegia e saj. Për t'u ardhur në ndihmë është afruar edhe një inxhinier, i cili është dëmtuar lehtë në pjesën e këmbëve. Menjëherë dy të dëmtuarat janë trasportuar për në spitalin kirurgjik të Elbasanit me një mjet të KESH-it.


Dy të dëmtuarat janë futur menjëherë në sallën e operacionit dhe pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore për djegiet janë nisur drejt spitalit ushtarak nëpërmjet dy autoambulancave të shoqëruara nga familjarë, punonjës dhe një mjet i KESH-it. Nënstacioni elektrik 110/10 furnizon me energji gjithë zonën industriale të Elbasanit.


Hetimet


Në vendin e ngjarjes, ndërsa është ndërhyrë nga zjarrfikësit, ka mbërritur edhe një ekip hetimor për përcaktimin e rrethanave dhe shkakut që solli ngjarjen e rëndë. Sipas të dhënave të para, rezulton se gjatë ndërrimit të linjave një mi ka hyrë midis dy zbarave duke krijuar qark të shkurtër.


Për pasojë, ndërsa një prej punonjësve me mjaft eksperiencë në punë ka vazhduar procedurën, për fat të keq ka qëlluar në moment kur miu ka krijuar qarkun dhe ka qenë i paevitueshëm shpërthimi. Të paktën ky është versioni paraprak për ngjarjen e rëndë, ndërkohë që vazhdojnë hetimet.


Kolegët


Shpërthimet në nënstacione nuk kanë qenë të pakta. Punonjësit tregojnë se ka pasur raste fatale po për shkak të këtyre qarqeve të shkurtra. Kështu, ndër vite janë regjistruar edhe viktima, sidomos në nënstacionet e tensionit të lartë.


Edhe në rastin e djeshëm shkarkimi mendohet të ketë qenë shumë i lartë dhe flakët i kanë shkaktuar djegie të rënda dy grave. Punonjësit që ngurrojnë të shprehen me emër thonë se kushtet nuk janë shumë të sigurta në sallat e komandimit.


Sipas tyre, nënstacionet duhet të kenë siguri të lartë, pasi pasojat janë vdekjeprurëse. Ata tregojnë se vite më parë ka pasur raste të ngjashme, madje një grua ka gjetur vdekjen e djegur nga shpërthime të tilla. Shumë prej tyre e quajnë veten me fat, pasi nga koha në kohë, për shkak të një elementi në dukje të parëndësishëm, krijohet qark i shkurtër dhe pasojat mbeten të pallogaritshme.


Mjekët


Mësohet se 46-vjeçarja Bezhani ka pësuar djegie më të rënda në rreth 70% të trupit. Ndërsa konsiderohet me djegie të kosiderueshme por më pak se e para, 45-vjeçarja Seiti.


Mjekja e specializuar për djegiet, Elvira Dino, është kujdesuar për dy të dëmtuarat gjatë në sallën e operacionit dhe i ka shoqëruar drejt spitalit ushtarak. Dy të dëmtuarat kanë qenë të ndërgjegjshme, megjithëse shkalla e lartë e djegieve ka shqetësuar mjaft familjarët.


Ata kanë kërkuar ndihmë të specializuar dhe nuk kanë dashur të komentojnë asgjë mbi këtë ngjarje të rëndë. Ndërkohë, mjekime ka marrë edhe një inxhinier, përgjegjës i nënstacionit, i cili ka pasur djegie të lehta.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›