Qeveria merr para borxh nga qytetarët
Individët kanë financuar 50 milionë dollarë më shumë në tregun e letrave me vlerë
Qytetarët kanë rritur praninë e tyre gjithnjë e më shumë në tregun e letrave me vlerë, duke ofruar borxh për qeverinë. Një raport i Bankës së Shqipërisë tregon për një pjesëmarrje më të madhe të individëve në financimin e nevojave të qeverisë, gjatë pesë muajve të parë të vitit 2009.
"Në këtë periudhë portofoli i individëve në tregun
primar është rritur me rreth 5 miliardë lekë, duke financuar rreth 11 për qind të borxhit
të brendshëm të qeverisë.",- citohet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Sipas saj, rreth 1/5-a e kursimeve të tërhequra nga bankat gjatë tremujorit të katërt të vitit 2008, mendohet të jetë kanalizuar pjesërisht në tregun e letrave me vlerë të qeverisë.
Tregu
Sipas raportit të BSH-së, në muajin maj 2009, portofoli i letrave me vlerë qeveritare të sistemit bankar u rrit me rreth 8.3 miliardë lekë. "Kjo u ndikua kryesisht nga rritja mujore e investimeve në letra me vlerë afatgjata prej 5.2 miliardë lekësh dhe në ato 1-vjeçare me rreth 3.1 miliardë lekë.
Përgjatë muajve të parë të vitit 2009 ka vijuar tendenca për zhvendosjen e portofolit të letrave me vlerë nga afatshkurtra deri në 1 vit, në afatgjata dhe kryesisht 5-vjeçare.",- thuhet në raport. Krahasuar me fundin e dhjetorit, portofoli i bonove të thesarit të bankave është reduktuar me 5.4 miliardë lekë. Ndërkohë që vihet re rritje prej 7.5 miliardë lekësh në investimet në obligacionet 5-vjeçare.
Banka e Shqipërisë tregon për një përmirësim të situatës së likuiditetit, gjë e cila ka rritur
pjesëmarrjen e bankave në tregun primar të letrave më vlerë qeveritare. Ndërkohë që zgjerimi i mëtejshëm i deficitit buxhetor të qeverisë në muajin maj ka mbajtur të lartë kërkesën për fonde. Por arkëtimi i të ardhurave nga disa privatizime ka ndihmuar në uljen e presioneve në likuiditet në tregun e parasë.
"Rezultantja e kësaj tabloje ka ndikuar në stabilitetin e normave të interesit në tregun e letrave me vlerë gjatë këtyre muajve",- citon raporti. Gjatë muajve të fundit interesat e bonove të thesarit me afat maturimi 12 muaj, janë në nivelin e 9.2 për qindëve.