Shperthim tritoli ne makinen e nje biznesmeni ndertimi ne Tirane

Ndoshta kanë dashur vetëm ta kërcënojnë… Biznesmeni Armando Cekaj, sapo ka nisur të lëvizë makinën, kur ka shpërthyer pjesa e pastme e saj.
Sasia e lëndës eksplozive ka qenë e vogël sipas policisë dhe nuk e ka dëmtuar biznesmenin.
Aktivizimi është kryer në distacë, çfarë ka bërë që policia të dyshoi se autori ka qenë pranë vendit të ngjarjes në rrugën Siri Kodra në Tiranë, duke ndjekur lëvizjet e biznesmit në momentin që ka aktivizuar lëndën plasëse.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbime të shumta policore dhe oficerët e hetimit të krimeve ndaj pronës dhe jetës.
Dyshimet e para të policisë lidhen me këto dy kate shtesë të këtij pallati, që ndodhet vetëm pak metra larg vendit ku ndodhi ngjarja.
Burimet policore thanë se Cekaj, ka marrë përsipër ndërtimin e shtesës për të cilën ka patur përplasje me ndërtues të tjerë, ndërsa ka pretendime edhe nga pronarët e truallit dhe apartamenteve.
Burimet policore kanë edhe një pistë tjetër hetimi, atë që lidhet me atentatin me eksploziv thuajse me të njëjtën skemë ndaj ortakut të Cekajt, 2 vjet më parë.
Policia po verifikon të njëjtën dosje, e cila kishte si motiv të dyshuar lënien të papërfunduar të një pallati në rrugën "Don Bosko", nga dy ortakët.