Shpërthime në veri, bombë kreut të SNS në Mitrovicë

Tjetër shpërthim është shënuar orët e para të mëngjesit në veri të Mitrovicës. Mediat serbe kanë bërë të ditur se rreth orëve të para të mëngjesit të së enjtes, persona të paidentifikuar kanë hedhur një bombë në oborrin e shtëpisë së Bojan Jakovleviç në Leposaviq, këshilltar të Komunës dhe kryetar i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Nikoliçit në Kosovë.
Mësohet se nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale në automjetin e tij dhe janë thyer xhamat e shtëpisë, ndërsa mbeten ende të paqarta motivet e këtij shpërthimi.
Ky është sulmi i tretë brenda dy ditëve në pjesën veriore të Kosovës, ku janë shënuar sulme me mjete shpërthyese në shtëpinë e mjekut Millan Jakovleviç në Zveçan, në veturën e policit të Kosovës Radovan Jovanoviç në Leposviq dhe në shtëpinë e Bojan Jakovleviç po në këtë qytet.
Shpërthimi është konfirmuar edhe nga zëvendësdrejtori i Policisë së kosovës Ergin Mediç.