E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohet “Golf 7”, kritika nga “Greenpeace”

Koncerni automobilistik “Volkswagen” shpreson se me “Golf”-in e ri do të marrë një shtysë tjetër në rrugën për të arritur në kulmet e tregut botëror dhe nuk do të tërhiqet për shkak të rënies së shitjeve në tregjet evropiane. Shefi i koncernit “Volkswagen” Martin Winterkorn e prezantoi shpresën e re të bestsellerit nga Wolfsburgu gjatë një ceremonie të zhvilluar në Galerinë e re Kombëtare në Berlin. Në ceremoni qe i pranishëm edhe kryetari i bordit mbikëqyrës të “Volkswagen”-it, Ferdinand Piech. Makina e re “Golf” përbën gjeneratën e shtatë të këtij tipi.

"Ne e konsiderojmë Golfin e ri si ambasadorin e “Volkswagen”-it në botë, si motor të fortë për shitje, për investime dhe vende pune të sigurta, dhe natyrisht edhe si një arritje të madhe teknologjike. Ai dallohet nga një cilësi tepër e lartë, guxim dhe aftësi për të ecur në rrugë të reja sidomos sa i përket substancës deri në detajin më të vogël."

Shefi i koncernit “Volkswagen” Martin Winterkorn tha se autovetura e re e markës “Golf” është jo vetëm ekonomike sa i përket harxhimit por edhe ekologjike: "Një gjë e patëm vërtet si çështje tejet të rëndësishme, çështje zemre, që ‘Golf”-i i ri të jetë një sinjal i qartë dhe i pagabueshëm për një mobilitet ekologjik. Kjo është arsyeja pse kemi zhvilluar një motor të ri, mjaft efikas dhe e kemi reduktuar konsumin e karburantit deri në 3.2 litra. Po për këtë arsye ne do të fusim në përdorim të gjithë spektrin e motorëve alternativë. Golfi i ri nuk është vetëm 'makinë', por për ne është 'makinë e mjedisit".

“Greenpeace”: “Volkswagen”-i ka nevojë për përmirësime

Karsten Smid, ekspert për mbrojtjen e ambientit pranë organizatës “Greenpeace”, mendon se modeli i ri “Golf” që prezantoi “Volkswagen”-i ka nevojë për përmirësime sa u përket elementeve ekologjike: "Ajo që ofron Volkswageni me Golfin e ri duket mjaft qartë që nuk i plotëson objektivat ekologjike për mbrojtjen e mjedisit. Golfi me naftë si versioni që harxhon më pak karburant, është hedhur në treg me modelin BlueMotion 6-7 vjet më parë. Kështu që ulja e sasisë së harxhimit të karburantit është realizuar nga modeli paraardhës. Modeli me benzinë është në aspektin ekologjik edhe më i keq. Për ne është shumë e qartë që objektivi për të ofruar një model ekologjik nuk është arritur, dhe kërkesa jonë është që autovetura e re “Golf” që prezantoi “Volkswagen”-i ka nevojë për përmirësime për shkak të konsumit të lartë të karburantit."/Dw/Start/

                                                                                             2012-09-06 11:50
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›