Demontimi, punësohen edhe 250 punëtorë
POLIÇAN - Rreth 250 punëtorë të rinj do të lidhin kontratë me ish-kombinatin ushtarak të Poliçanit për demontimin e predhave. Ky kombinat nisi procesin rreth 6 muaj më parë, fillimisht me 250 të punësuar. Por shtimi i punës dhe vazhdimi i projektit deri në përfundimin e sasisë së llogaritur për demontim, pritet që të sjellë dhe angazhimin e qindra banorëve të tjerë të zonës. Ata mësohet se do të lidhin kontratë pune, e cila do të përfundojë bashkë me fundin e projektit të demontimit. Nën mbikëqyrjen e specialistëve të Ministrisë së Mbrojtjes, në këtë kombinat po vazhdon demontimi i predhave të kalibrit 82 milimetra, të cilat vijnë nga uzina e Gramshit. Burime nga kombinati bëjnë të ditur se ka filluar dhe demontimi i predhave të kalibrave të përmasave të mëdha, por që kërkon punëtorë më të specializuar, pasi dhe rreziku është më i madh. Deri tani rezulton se nga 250 punëtorët aktualë janë çmontuar 1800 predha. Kërkesat që lindin për punëtorë në këtë kombinat pritet që të zbusin sadopak papunësinë në këtë qytet, të braktisur që prej kohës kur kombinati ushtarak ishte në lulëzim të tij. Parashikohet që me angazhimin e punonjësve të tjerë të kryhen në ditë çmontimi i 3600 predhave. Burime nga drejtoria e ish-kombinatit pohojnë se lëndët e rrezikshme kimike të pranishme gjatë procesit, përpunohen, duke mos dhënë asnjë mundësi shpërthimi në rast incidenti. Kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotka, pohon se janë marrë të gjitha masat si nga Ministria e Mbrojtjes, Policia Ushtarake dhe administrata e kombinatit për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme gjatë zbatimit të këtij projekti. d.xh