E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthimi i “Elda”-s, shefi i zjarrfikësve: Zjarri ka ardhur nga zyra e pikës së karburantit

Një shpërthim i fuqishëm pranë pikës së karburantit “Elda” te Brryli ka shkatërruar plotësisht ambientet e zyrave të kësaj pike karburanti, duke krijuar momente paniku dhe alarmuar menjëherë autoritetet.

Ndërhyrja e shpejtë e stacionit të zjarrfikëseve të qytetit Studenti ka bërë të mundur shmangien e një tragjedie të përmasave katastrofike.

Kreu i shërbimit zjarrfikës në një komunikim për mediat nga vendi i ngjarjes u shpreh se me të mbërritur në vendngjarje, forcat zjarrfikëse kanë konstatuar se objekti ku ndodheshin zyrat ishte rrafshuar i gjithi dhe flakët kishin filluar të përhapeshin.

“Reagimi ka qenë i menjëhershëm: brenda pak minutash është mbyllur rubineti i gazit, duke ndalur rrjedhjen që mbante gjallë flakët, dhe duke vënë kështu situatën plotësisht nën kontroll”.

Nga vëzhgimet paraprake në terren, ai tha se dyshohet se epiqendra e këtij shpërthimi të fuqishëm ka qenë pikërisht brenda zyrave të karburantit. Edhe pse pompat në pjesën e përparme nuk janë përfshirë nga zjarri, vala goditëse ka shkaktuar dëme të mëdha, duke shpërndarë xhama dhe inerte në të gjithë rrugën rrethuese.

Autoritetet janë duke hetuar disa pista rreth shkaqeve të këtij incidenti të rëndë. Dyshimi kryesor mbetet një rrjedhje gazi ose akumulimi i avujve të benzinës që ka çuar në shpërthim. Megjithatë, një detaj tjetër tronditës është ngritur nga përfaqësuesit e biznesit, të cilët dyshojnë se ngjarja mund të jetë provokuar nga goditja e një automjeti, një skenar ky i ngjashëm me një ngjarje të rëndë të ndodhur vite më parë në zonën e Kombinatit.

Në vendngjarje aktualisht ndodhen inspektorët e shërbimit zjarrfikës, ekspertët e ISHTI-t dhe forcat e policisë. Përmes verifikimit të kushteve teknike dhe sekuestrimit të kamerave të sigurisë, pritet që brenda ditës të zbardhet plotësisht shkaku i vërtetë që e ktheu këtë pikë karburanti në një gërmadhë.

Deklarata e kreut të zjarrfikësve

Zjarrfikësit në pak minuta kanë arritur në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar që pika e karburantit, ambientet e zyrave, kanë qenë të rrëzuara në tokë. Gjithashtu ka pasur edhe flakë. Kjo ka ndodhur si pasojë e shpërthimit. Dhe menjëherë punonjësit e shërbimit zjarrfikës kanë ndaluar rrjedhjen e gazit sepse edhe flaka që vazhdonte në këtë pikë ishte nga rrjedhja e gazit. Kanë mbyllur rubinetin, pra kanë mbyllur rrjedhjen e gazit dhe në pak minuta është bërë e mundur izolimi i flakëve. Dhe mbas kësaj situate çdo gjë ka qenë në kontroll. Pra, ajo që dua të them është që në pak minuta situata u vu në kontroll, sepse edhe masa e flakëve nuk ka qenë shumë e madhe. Pra, ka qenë shpërthim, jo zjarr dhe nga shpërthimi, nga rrjedhja pastaj ka vazhduar edhe flaka, e cila mbas mbylljes së rubinetit dhe mbas veprimit për pak minuta të punonjësve të shërbimit zjarrfikës është vënë nën kontroll.

Gazetarët: Drejtor, ku dyshohet se ka nisur shpërthimi?

Po ta shikoni, nga ajo që dyshojmë ne, sepse ju e shikoni shumë mirë që jemi duke punuar, por nga ajo që ne shikojmë dhe nga eksperienca jonë mendojmë që shpërthimi ka ndodhur në zyrat e pikës së karburantit. Pra, po ta shikoni edhe mbrapa ai objekt, zyrat janë rrëzuar dhe vetë pjesa e karburantit, pjesa e përpara nuk është e përfshirë nga flakët, por është e dëmtuar nga shpërthimi. Edhe xhamat që janë përhapur në rrugë edhe të gjithë materialet që janë përhapur këtu na bën ne të mendojmë që shpërthimi është në zyrat e kësaj pike karburanti.

Gazetarët: Ka pasur diçka të paligjshme, çfarë mund të ketë pasur brenda ambienteve të zyrave? Të parregullt? Ose një diçka që i ka paraprirë, pjesë e hetimeve…

Jo patjetër, patjetër, apo… pyetja është shumë e drejtë sepse ne thamë edhe më sipër, po të më keni ndjekur, pra shpërthimi ka ndodhur nga gazi. Nga gazi, ndoshta edhe avujt e benzinës, avuj të ndryshëm, sepse ky është një shpërthim. Pra nuk është një zjarr dhe shpërthimi vjen vetëm nga këto gjëra. Pastaj për defekte teknike dhe për problemet që mund të ketë pasur pika, ne do i konstatojmë. Janë këtu edhe inspektorët e shërbimit zjarrfikës edhe inspektorët e ISHTI-t, pra të shërbimit teknik. Janë këtu duke verifikuar të gjitha masat që ka pasur pika e karburantit sepse nga përfaqësues të biznesit na thonë që edhe mund të ketë qenë automjet që ka goditur pikën e karburantit, ashtu siç na ka ndodhur para disa vitesh në zonën e Kombinatit. Por kjo ngelet për t’u parë, këtu bashkë me ne është edhe policia të cilët do mbikëqyrin edhe kamerat dhe besoj brenda ditës së sotme do kemi edhe shkakun e rënies së këtij zjarri, e këtij shpërthimi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›