Vlorë, 2 të dyshuar me H1N1
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Dy fëmijë emigrantësh, të shtruar në Pediatrinë e Vlorës alarmojnë spitalin për praninë e gripit të derrave. Prej 3 ditësh të miturit 4-5 vjeçarë ndodhen në spitalin e qytetit bregdetar, me shenjat e virozës së stinës, por paniku ndërkombëtar ka bërë që mjekët të mos ndalen këtu. Pas analizave të para, të kryera në Vlorë, rezulton se ata nuk mbartin virusin H1N1. Megjithatë, mjekët kanë vënë në dijeni Ministrinë e Shëndetësisë, duke i sjellë dhe analizat për t’u saktësuar në laboratorët e Tiranës. Kjo, nisur nga frika e përhapjes së virusit të gripit të derrave në vendet fqinje me ne, nga ka nisur dhe fluksi i emigrantëve për pushime. Sipas shefit të Repartit të Pediatrisë të spitalit të Vlorës, Fatmir Brahimi, në këtë repart janë paraqitur dy fëmijë të cilët kishin ardhur nga Italia dhe Greqia. “Shenjat që ata paraqitën të linin përshtypje si ato të gripit, të virusit tashmë të përhapur, por për ta vërtetuar ne kemi çuar kampionet në laborator dhe presim konfirmim. Pa ardhur ato nuk mund ta bëjmë alarmante”, u shpreh shefi i Pediatrisë, duke shtuar se shenjat janë të ngjashme me ato të virozës së stinës që ka prekur dhe shumë fëmijë të tjerë në Vlorë. “Ne po presim konfirmimin nga laboratorët, pastaj mund të themi se çfarë është. Dyshimi lindi se këta fëmijë kishin ardhur nga jashtë vendit, prandaj dhe ne po i bëjmë analizat”. Në spitalin e Vlorës mësohet se është shtruar prej rreth 1 javë dhe po merr mjekim dhe një shqiptar me shtetësi maqedonase. Ai është sëmurë gjatë ditëve të qëndrimit për pushime në Vlorë. Dhe analizat e tij janë përcjellë për në Tiranë. “Gjithsesi nga analizat paraprake që kemi kryer, nuk rezulton që të jenë prekur nga virusi i derrave, sepse dhe fëmijët janë përmirësuar ndjeshëm. Me ardhjen e emigrantëve, shtimi i rasteve që vizitohen nga gripe të ndryshme po rritet dhe ne po identifikojmë më shumë ata fëmijë që vijnë nga Greqia dhe vendet e tjera për të marrë masa të mëtejshme”, thotë mjeku. Sipas tij, me rritjen e temperaturave ditët e fundit është rritur dhe fluksi i shtrimeve, si dhe të vizitave që bëhen çdo ditë. Çdo ditë paraqiten rreth 30-40 fëmijë, po ata që janë më rëndë shtrohen, ndërsa të tjerët vazhdojnë mjekimin në shtëpi.