Tregu i mishit, pa kushte higjienike
KLOS- Megjithëse kushtet kanë ndryshuar gati në të gjitha tregjet e vendit, në Klos gjithçka shitet si shekuj më parë, në baltë, në pluhur, në rrugë. Të gjitha produktet bujqësore e blegtorale, materialet industriale apo rrobat tregtohen në kushte anormale. Ky treg shumëfishon tregtarët dhe blerësit ditën e diel. Vijnë shitës nga të katër anët e Matit dhe blerës nga Dibra, Bulqiza, Burreli apo rrethe të tjera të vendit. Fermerët e Luginës së Matit, Martaneshit, Xibrit, Klosit e viseve të tjera sjellin në këtë pazar bagëti, bulmet, fruta e perime, gjithçka ata mendojnë se mund të shitet. Produkti më i shitur është mishi. Ai tregtohet në kushte skandaloze. Kasapë të shumtë, kryesisht nga fshatrat dhe qyteti i Klosit, sigurojnë të imta dhe gjedhë për tregtim. Mirëpo therja e tregtimi i mishit realizohen në kushte mjaft të vështira. Bagëtitë theren në mes të baltës, pluhurit, pranisë së qenve rrugaçë, pranë lokaleve të tregtimit, në mungesë të ujit etj. “E shihni në ç’kushte jemi të detyruar të punojmë, -thonë kasapët e Pazarit të Klosit.- Taksat i paguajmë rregullisht, mirëpo askush nuk mendon të investojë për përmirësimin e kushteve. Kemi kërkuar nga bashkia të sigurojë të paktën ujin, pasi aktualisht mishi lahet me ujë të papastër. Qentë e shumtë jo vetëm neverisin blerësit, por janë burim infeksioni. Vendi ku ne therim e shesim mishin, -vijojnë tregtarët,- është në gjendje mizerabël. Edhe dje në këtë treg kishte dhjetëra kasapë që merreshin me tregtimin e mishit. Jo vetëm çmimi i mishit të viçit është rritur me 50-100 lekë për kilogram, por mishi tregtohej mes llucës, pranisë së qeneve të shumtë që kërkonin ushqim, fare pranë lokaleve që funksionojnë në territorin e pazarit vetëm ditëve të diela etj.